Popull i vogël me pjesëtarë të mëdhenj!

Nga Kim Mehmeti

Mos u besoni politikanëve kur ju thonë se duan ta dëgjojnë mendimin tuaj të sinqertë për veprimtarinë e tyre, sepse nuk ka më të vetë pëlqyer se ata. Andaj, nëse doni të mos keni telashe e të mbeteni pa punë, edhe atëherë kur e dini se është kryehajdut dhe i pafytyrë, i thoni se është shëmbëlltyra e ndershmërisë dhe e mira e popullit.
As artistëve, akademikëve e veçanërisht shkrimtarëve, mos gaboni t’u thoni se nuk i njihni, apo se nuk keni lexuar asnjë vepër të tyre, ngaqë do ndjehen sikur ua keni sharë nënën dhe askush sa ata nuk e dëshiron famën. Andaj, për shembull, shkrimtarit i thoni se veprat e tij janë krenaria e popullit dhe se do donit t’i lexonit edhe librat që kurrë nuk do i shkruajn!
Mos i shikoni me neveri as narkodilerët e kriminelët e lagjes që ndihmojnë hallexhinjtë dhe ndërtimin e objekteve fetare, por përkundrazi, u thoni se bamirësia e tyre ju bënë të ndjeheni krenar, me çka do shtireni se nuk e dini që me gjestet e veta bamirëse ata e mbulojnë fytyrën e vet të vërtetë, por ndërkohë duke e shpalosur pafytyrësinë tonë.
Shkurt e shqip: do gaboni nëse besoni se në shoqëritë tona çmohet dhe vlen gjë sinqeriteti. Jo, nëse doni të jetoni në paqe me të tjerët e në luftë me vetveten, pra nëse doni të jeni turpi i vetvetes dhe i vlerësuar nga të tjerët, atëherë askund mos e thoni atë që mendoni, por atë që duan ta dëgjojnë të tjerët.
Dhe duke qenë popull i vogël me individ të mëdhenj brenda vetvetes, ne edhe u bëmë shoqëri ku nuk dihet kush çka mendon, por ku të gjithë e thonë të ‘vërtetën’.
Më në fund, që moti është thënë: sa më i vogël është populli, aq më të gjatë e ka himnin. Të cilës thënie duhet shtuar pjesën tonë shqiptare: sa më i vogël është populli aq më të shumta e më të gjata i ka këngët e trimërisë. Si edhe librat e historisë ku i përshkruan vlerat kombëtare! (Kim Mehmeti)