Pompeo: Turqia ka të drejtën e vetëmbrojtjes në Idlib

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, shprehu mbështetje të palëkundur për Turqinë në Siri përderisa Ankaraja zyrtare kërkon të zmbraps një ofensivë të regjimit sirian në veriperëndim të vendit.

“Ne besojmë fuqishëm se partneri ynë i NATO-s, Turqia, ka të drejtën e plotë të verëmbrojtjes kundër rrezikut që po krijohet nga ajo që Assad, rusët dhe iranianët po bëjnë brenda Sirisë”, tha Pompeo para përfaqësuesve të mediave në Departamentin e Shtetit.

“Qindra mijëra sirianë nga të gjitha besimet, por kryesisht muslimanë, janë duke u lënduar nga ajo që po bëjnë regjimi i Assad-it, rusët dhe iranianët brenda Idlibit. Qeveria turke ka kërkuar nga ne vetëm disa gjëra. Ne po vlerësojmë të gjitha ato kërkesa”, tha Pompeo.

Kombet e Bashkuara (OKB) vlerësojnë se 900 mijë njerëz janë zhvendosur që kur regjimi në muajin dhjetor filloi fushatën me ndihmën ajrore ruse dhe luftëtarëve iranianë.

Turqia të dielën nisi operacionin “Mburoja e Pranverës” pasi 36 ushtarë turq u martirizuan nga një sulm ajror i regjimit të Assad-it në Idlib.

Pompeo shtoi se ekipet nga Pentagoni dhe Departmenti i Shtetit po punojnë për të përcaktuar “sa më mirë” për të reduktuar dhunën dhe “për të parandaluar krizën e madhe humanitare që po vazhdon” në veriperëndim të Sirisë.

Ata u vendosën atje në kuadër të marrëveshjes së Soçit me Rusinë në vitin 2018 për të mbrojtur popullsinë civile dhe grupet kundër terrorizmit.

Në vitin 2018, Turqia dhe Rusia u pajtuan për ta kthyer Idlibin në një zonë de-eskaluese në të cilën aktet e agresionit janë të ndaluara.

Por, regjimi sirian dhe aleatët e tij, përfshirë forcat e mbështetura nga Irani, në vazhdimësi kanë thyer kushtet e armëpushimit, duke kryer sulme të shpeshta brenda territorit.

Mbi 1.300 civilë janë vrarë në zonën de-eskaluese të Idlibit në sulmet e tilla, duke drejtuar një milion refugjatë drejt kufirit të Turqisë me Sirinë.