Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në bisedat telefonike me kryeministrin e Irakut, Adil Abdul-Mahdi dhe presidentin Barham Salih, është shprehur se Washingtoni do të mbrojë njerëzit e tij pas protestave në kompleksin e ambasadës së SHBA-ve në Bagdad, raporton Anadolu Agency (AA).
Sekretari Pompeo “e bëri të qartë” se SHBA-të do të ruajnë dhe mbrojnë njerëzit e saj, të cilët janë atje për të mbështetur Irakun sovran dhe të pavarur” , tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus.
“Të dy Abdul-Mahdi dhe Salih e siguruan Sekretarin se e kanë marrë seriozisht përgjegjësinë e tyre dhe do të garantojnë sigurinë e personelit dhe pronës amerikane”, tha ajo.
Protestuesit e indinjuar sulmuan sot kompleksin e ambasadës amerikane në Bagdad, duke protestuar ndaj sulmeve të Washingtonit mbi batalionet e armatosura që i përkasin forcave të Hashd al-Shaabi të mbështetur nga Irani.
Së paku 25 persona humbën jetën fundjavën e kaluar në sulmet ajrore amerikane mbi pozicionet e Kataib Hezbollah, një grup militantësh të mbështetur nga Irani, në Irak dhe Siri.
Qindra protestues u mblodhën të martën herët pranë ambasadës për të treguar zemërimin e tyre për sulmet.