Pompeo: Kujdes me totalitarizmin dhe ndikimin rus

Sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo u bëri thirrje demokracive të reja të Evropës Qendrore e Lindore të mbrojnë liritë e fituara me mund, përballë kërcënimeve nga Rusia, Kina dhe të tjerë. Ai vuri në dukje se disa vende, mes të cilave veçoi Bjellorusinë, kanë shënuar hapa prapa.

Diplomati i lartë amerikan tha se rishfaqja e totalitarizmit nuk është një kërcënim abstrakt, që është i kufizuar vetëm në kryeqytete si Moska dhe Pekini, por është shfaqur edhe në Evropë dhe në territore fqinje me të, në një vend si Bjellorusia ku kanë shpërthyer trazirat pas zgjedhjeve të së dielës që opozita i quan të manipuluara. Këtë mesazh, shefi i diplomacisë amerikane e përsëriti pas takimit me Kryeministrin çek, Andrej Babis, në konferencën e përbashkët për shtyp. “Jemi të vetëdijshëm për përpjekjet e Rusisë për të korruptuar demokracinë për të shkatërruar Aleancën Perëndimore. Kam besim të plotë se liria do të fitojë“ – ka deklaruar Sekretari amerikan i shtetit, Pompeo.