Oficerët ushtarak polakë do të mbërrijnë në Kiev më 18 shtator për të koordinuar përpjekjet me Ukrainën për t’iu kundërvënë sulmeve me dronë dhe për të forcuar bashkëpunimin në mbrojtjen ajrore.
Ky veprim u njoftua nga Ministri i Jashtëm ukrainas Andriy Sybiha në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun danez Lars Løkke Rasmussen.
Duke e quajtur sulmin e fundit me dronë të Rusisë ndaj Polonisë “një fazë të re të agresionit rus”, Sybiha theksoi rëndësinë e përafrimit të mbrojtjes ajrore të Ukrainës me sistemet evropiane dhe thellimit të punës dypalëshe me Varshavën, shkruajnë mediat e huaja.
“Pala ukrainase e kishte informuar Poloninë paraprakisht për fluturimin e këtyre dronëve në hapësirën ajrore polake. Ne presim që delegacioni ushtarak polak të mbërrijë të enjten për të punuar me forcat tona. Sot, vetëm Ukraina ka përvojën e nevojshme se si t’i kundërveprojë sfidave të tilla”, deklaroi Sybiha.
Ai vuri në dukje se gjatë valës së fundit të sulmeve, Rusia nisi gati 800 dronë kundër Ukrainës.
“Shikoni shkallën tonë të efikasitetit. Fatkeqësisht, lufta na detyron të fitojmë përvojë të përditshme luftarake, por ky është edhe kontributi ynë në sigurinë kolektive. Partnerët tanë e kuptojnë këtë dhe ne jemi të gatshëm të ndajmë përvojën tonë për të minimizuar dhe neutralizuar kërcënimet ndaj hapësirës sonë të përbashkët të sigurisë”, shtoi ai.
Njoftimi vjen pas një incidenti të 10 shtatorit kur rreth 20 dronë rusë hynë në territorin polak, disa prej të cilëve u rrëzuan.
Ministri i Jashtëm polak Radosław Sikorski e quajti inkursionin “jo aksidental”.
Ai shtoi se çdo pretendim për një “provokim” ukrainas i bën jehonë propagandës së Kremlinit.
“Ky depërtim në hapësirën ajrore polake dhe të NATO-s nga dronë rusë është një moment i së vërtetës. Dronët hynë jo vetëm nga Ukraina, por edhe nga Bjellorusia. Beteja ajrore zgjati shtatë orë. Ky nuk është një aksident dhe kushdo që thotë se ishte një provokim ukrainas është ose autor ose bashkëpunëtor i propagandës ruse”, deklaroi Sikorski.