Pollozhani: Marrëveshja e Ohrit e dështuar, përgjegjës janë politikanët shqiptarë

Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është i dështuar, vlerëson ish i përndjekuri politik Shpëtim Pollozhani, sipas të cilit pas kësaj marrëveshje që ishte për ndërprerjen e luftës, nuk janë parashikuar mekanizma dhe ligje për zbatimin e saj, apo për arritjen e pajtimit konkret.

“Deri sot askush nuk e ka përmendur termin “paqe negative”. Paqe negative është gjendja konkrete kur shkaqet që kanë sjell deri në konflikt nuk janë eliminuar me marrëveshje pas konfliktit. Marrëveshja e Ohrit ishte një marrëveshje për ndërprerjen e luftës, jo marrëveshje e paqes. Marrëveshja e paqes të gjitha palët i trajton njëlloj, dëshmorët, viktimat e luftës, dëmet materiale, shpirtërore, psiqike dhe fizike. Këtu u sollën ligje për zhdëmtimin e njërës palë kurse palës tjetër, palës shqiptare, u hodhën pluhur syve të mos bëjnë potere duke i punësuar ndonjë person të familjes dhe duke i dhënë ndonjë tender lokal. Edhe 24 vjet pas nënshkrimit nuk janë realizuar objektivat e Marrëveshjes së Ohrit, pasi shumica e tyre nuk janë garantuar me ligj, nuk janë ndërtuar mekanizma shtrëngues dhe nuk janë ndërtuar mekanizma ndëshkues për atë që nuk i zbaton”, deklaroi Shpëtim Pollozhani, Ish i përndjekur politik.

Pollozhani thotë se palët e përfshira në luftë nuk janë trajtuar njësoj pas marrëveshjes.

“Në Marrëveshjen e Ohrit nuk përmendet fjala lufta e UÇK-së, nuk përmendet ushtari i UÇK-së por gjithnjë “pala tjetër” dhe fatkeqësisht sot e kësaj dite nxënësit maqedonas mësojnë se ushtarët e UÇK-së kanë qenë armiq të maqedonasve dhe kanë vra maqedonas. Ka ligj për statusin e mbrojtësve, “branitellave”, nuk ka asnjëfarë lloj statusi për ushtarët e UÇK-së dhe viktimat e familjeve. Atyre u janë paguar dhjetëfish dëmet materiale, fizike e psiqike”, tha Shpëtim Pollozhani, Ish i përndjekur politik.

Sipas tij, që ka dështuar zbatimi i shtyllave të Marrëveshjes dëshmon përfaqësimi etnik në institucione.

“Marrëveshja e Ohrit ka vetëm mekanizma politik, nuk parasheh edhe mekanizma ekonomik për barazi qoftë në punësim, qoftë në administratë. Megjithëse të themi se ka punësime por çfarë janë 2,3,5 ose 6 mijë punësime në 130 mijë që janë të punësuar në sektorin publik, kjo sipas Entit Statistikor të vitit 2022”, theksoi Shpëtim Pollozhani, Ish i përndjekur politik.

Pollozhani thotë se përgjegjësia qëndron te faktori politik shqiptar.

“Problemi më i madh, përgjegjësia e moszbatimit të Marrëveshjes së Ohrit qëndron në faktin e jokonzistencës të palës politike shqiptare e cila në asnjë moment nuk e kushtëzoi me tërheqje nga qeveria, ose me bojkot, ose me mosvotim të ligjeve të rëndësishme të buxheti, nuk e kërcënoi dhe nuk e rrezikoi asnjë qeveri për këto 25 vitet e fundit dhe ato kanë bërë ç’kanë pasur mundësi”, u shpreh Shpëtim Pollozhani, Ish i përndjekur politik.

Pollozhani po ashtu thekson jozyrtarizimin e shqipes duke shtuar se pothuajse në asnjë institucion nuk mund të plotësohen shkresa zyrtare në shqip. /Alsat.mk