Politikanizmi shkatërron sistemin!

Shkruan: Numan SALLAI

Politika zyrtare, madje edhe ajo opozitare, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ka një kohë që kanë ra në politikanizëm të skajshëm. Nuk ka kush që se kupton se në vendin tone nuk ka më politikë përfaqësimi demokratik, por përfaqësim që është shndërruar në përfaqësim të individëve dhe grupeve shumë të ngushta,që e qarkullojnë pasurinë shoqërore. Në funksion sistemi edhe ashtu i devastuar por, janë qëndrimet a sjelljet prej “politikanëve” joparimor dhe dhelpërak. ”Modus Vivendi” i tyre!

Ku sundon politikanizmi, demokracia ik dhe nuk ekziston. Politika, jeta politike, është bërë si të thuash mënyrë veprimi, me intriga, gënjeshtra, sikur grupet mafioze të krimi-filmave, kanosen apo mbrojnë abuzimet, vjedhjet e tyre!!! Dhe grupet e këtilla i ashtuquajturi system, herë i sulmon e herë i mbronë, varësisht nga situatat dhe gjendjet në të cilat gjenden interesi i tyre, përkatësisht pasuria e vjedhur shoqërore, gjykohen dhe nuk e vuajnë dënimin. Paguajnë me paratë shoqërore, të vjedhura dhe lirohen nga ashtuquajturat dënime. Gjithçka rrotullohet në një rreth vicioz dhe gjendja mbetet “target i njëjtë-distancë e njëjtë”. Politikanizmi është një familje e madhe, me maqedonë, me shqiptarë, me të tjerë…pasuria nuk guxon të dal jashtë atij rrethi. Assesi në shtresat shoqërore ,më të ulta, sepse, ata mbase mund t’i zbulojnë kanalet e grabitjes publike. Atyre të vobektëve, u mjaftojnë asistencat sociale (lexo: pagat minimale).

Politikanizmi ka qenë gjithëherë,ndërsa në mesin tonë sot është edhe rrena më e vogël që vjen për të realizuar interesin personal, por edhe nga shumë gjëra më të mëdha që vijnë nga korniza më e gjërë e abuzimit shoqëror. I riu i sotëm shpejt, shumë shpejt e kuptoi se në këtë vend fakulteti, magjistratura , doktoratura, pastaj dituria, sinqeriteti, e vërteta, e drejta, pasioni për drejtësinë nuk paraqesin asgjë,nuk e kanë atributin e vlerës njerëzore. Fatkeqësia e gjithë kësaj është se politika midis nesh ka mbjellur një frymë jashtëzakonisht të keqe, se përfaqësimi politik nuk paska qenë përfaqësim i denjë për interesin publik, por paska qenë mundësi dhe aftësi e politikanit, të votuar me votat e popullit, për të abuzuar me pasurinë dhe interesin publik. Fatkeqësia mbi fatkeqësitë, është se këtë katastrofë shoqërore e kanë shndërruar kulture jetese.