Politikania zvicerane nga Gjeneva: Kosovarët kishin të drejtë të mbroheshin

“Për të kuptuar pse një popull arrin në pikën ku beson se nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të mbrohet, duhet ta shikojmë të gjithë historinë. Jo vetëm faqet e fundit”

Politikania zvicerane nga Gjeneva, Ana Roch ka reaguar ndaj komenteve të ditëve të fundit për Kosovën dhe UÇK-në. Në një postim të saj në rrjetet sociale ajo ka thënë se historia e vendit nuk mund të trajtohet sikur ka filluar me shfaqjen e UÇK-së.

Roch, deputete në Parlamentin (Këshillin e Madh) të Gjenevës e cila më parë ka qenë edhe presidente e parlamentit në fjalë, ka rikujtuar kontekstin e luftërave në ish-Jugosllavi, nga gjenocidi në Srebrenicë deri te dëbimi i qindra mijëra shqiptarëve nga shtëpitë e tyre në Kosovë.

Ajo në këtë kontekst ka përmendur vrasjet, personat e zhdukur, djegien dhe shkatërrimin e shtëpive, si dhe dhunën seksuale të ushtruar gjatë luftës, duke theksuar se pasojat e asaj periudhe vazhdojnë të rëndojnë mbi shumë familje.

Sipas Roch, UÇK-ja nuk u shfaq “nga askund”, por atë duhet vendosur brenda kontekstit të një rajoni që kishte kaluar vite luftërash, spastrimi etnik dhe masakrash.

“Për të kuptuar pse shpërthen një luftë, pse formohet një rezistencë dhe pse një popull arrin në pikën ku beson se nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të mbrohet, duhet ta shikojmë të gjithë historinë. Jo vetëm faqet e fundit”, ka shkruar ajo.

Roch përfundon se heqja e këtij konteksti nga historia rrezikon të nënkuptojë edhe fshirjen e viktimave, diçka që, siç shprehet ajo, refuzon ta pranojë.

Politikania e Gjenevës dhe ish-presidentja e Këshillit të Madh të Kantonit të Gjenevës, Ana Roch (Mouvement citoyens genevois, MCG), u bë qytetare nderi e qytetit të Drenasit në Kosovë.