Politika “zero-COVID dinamike” synon të maksimizojë mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të njerëzve

Objektivi i politikës “zero-COVID dinamike” të Kinës synon të maksimizojë mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të njerëzve, u shpreh të mërkurën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Zhao Lijian.

“Kjo politikë nuk synon të mos ketë asnjë infeksion, por që ta frenojmë epideminë në kohën më të shkurtër të mundshme me koston më të ulët shoqërore, në mënyrë që të mbrohet jeta dhe shëndeti i njerëzve, si edhe të ruhet maksimalisht rendi normal i jetës,” tha ai.

Komentet e tij zëdhënësi i diplomacisë kineze i bëri pasi Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus e përshkroi këtë politikë si “të paqëndrueshme”.
Zhao Lijian-i u bëri thirrje palëve përkatëse që të kenë një pikëpamje objektive e racionale lidhur me politikat e Kinës për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë.

Zëdhënësi vuri në dukje se politika “zero-COVID dinamike” ka mbrojtur në mënyrë efektive të moshuarit dhe njerëzit me probleme shëndetësore bashkëshoqëruese dhe pasoja do të ishte e rëndë nëse Kina do të lehtësonte parandalimin e kontrollin.
“Qasja e qeverisë kineze për parandalimin dhe kontrollin do t’i qëndrojë provës së historisë. Masat tona janë shkencore e efektive dhe është një fakt që bota mund ta shohë që Kina është një nga vendet më të suksesshme në botë në parandalimin dhe kontrollin e epidemisë,” vuri në dukje ai.