Politico: Evropianët kanë frikë se Trump mund t’u ndalë internetin…

Shumica e evropianëve besojnë se SHBA-të mund ta ndërpresin teknologjinë nga e cila Evropa mbështetet shumë, sipas një sondazhi të ri.

86% e njerëzve mendojnë se një veprim i papritur i SHBA-së për të kufizuar aksesin e Evropës në shërbimet digjitale “nuk duhet të përjashtohet”, dhe 59% e quajtën atë “tashmë një rrezik real dhe konkret”, në një sondazh të kryer nga SWG dhe Polling Europe, i paraqitur anëtarëve të Parlamentit Evropian këtë javë .

Bëhet e ditur se qeveritë evropiane po përpiqen të zvogëlojnë varësinë e tyre nga teknologjia amerikane për shërbime kritike si cloud, komunikimet dhe Al.

Një frikë që nxit kalimin drejt përdorimit të teknologjisë vendase është ajo e një “kill switch” ; ideja se presidenti i SHBA-së Donald Trump mund t’i detyrojë ofruesit amerikanë të teknologjisë të ndërpresin shërbimet në Evropë.

Këto frikëra arritën kulmin kur Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, humbi aksesin vitin e kaluar në llogarinë e tij të email-it të strehuar nga Microsoft, pasi SHBA-të vendosën sanksione ndaj tij.

“Gjatë vitit të kaluar, të gjithë e kanë kuptuar vërtet sa e rëndësishme është që të mos jemi të varur nga një vend apo një kompani e vetme kur bëhet fjalë për disa teknologji shumë kritike”, tha shefja e teknologjisë së BE-së, Henna Virkkunen, para një audience në Bruksel më herët këtë vit, në një aktivitet të organizuar nga POLITICO.

“Në këto kohë… varësitë, ato mund të përdoren si armë kundër nesh”, tha Virkkunen.

Raportohet se sondazhi u krye me 5,079 të anketuar në të 27 vendet anëtare të BE-së në janar.

Për 55% të të intervistuarve, hartimi i një “rruge evropiane” është bërë një “çështje qendrore strategjike”.

Parlamenti Evropian dhe një sërë institucionesh qeveritare kombëtare kanë ndërmarrë tashmë hapa për t’u larguar nga teknologjia e përhapur kudo në SHBA – megjithëse kryeqytetet e BE-së kanë paralajmëruar se tranzicioni nuk do të ndodhë “brenda natës”.

Komisioni Evropian po finalizon gjithashtu një sërë propozimesh që pritet të paraqiten në fund të majit për të zvogëluar varësinë nga teknologjia e huaj, duke përfshirë përcaktimin e asaj që kualifikohet si një ofrues sovran dhe cilët sektorë kritikë duhet të mbështeten ekskluzivisht tek ata për të mbrojtur të dhënat evropiane dhe operacionet e përditshme.

© SYRI.net