Policia thotë se roja e lejoi të dyshuarin për vrasjen e gjyqtarit të futej i armatosur në gjykatën e Tiranës

Policia shqiptare ka thënë të martën një roje sigurie në detyrë nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për t’i kontrolluar dy të dyshuar, përfshirë të dyshuarin kryesor për vrasjen e një gjyqtari, kur ata ishin futur brenda Gjykatës së Apelit, pavarësisht se skaneri e kishte alarmuar për praninë e metaleve.

Gjyqtari Astrit Kalaja u vra të hënën derisa po e shpallte vendimin në një rast të një mosmarrëveshjeje pronësore nga dorasi i dyshuar, i identifikuar si E.Sh., i cili u arrestua në vendngjarje.

Policia tha të martën se dorasi i dyshuar dhe një shoqërues i tij me inicialet G.Sh., u lejuan nga roja në detyrë, B.K., të futeshin pa iu nënshtruar kontrollit fizik, me gjithë paralajmërimet e skanerit që kishte ndezur dritën e kuqe.

“Roja B.K., me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo regjistrimin e tyre në librin e protokollit, ku duhet të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambientet e Gjykatës”, tha policia.

“Në orën 15:35, palët ngrihen në këmbë dhe, menjëherë pasi gjyqtari A. K. shpall vendimin, shtetasi E. Sh., që ndodhej në sallë, nxjerr nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe qëllon disa herë në drejtim të gjyqtarit A. K., i cili, si pasojë e dëmtimeve të marra dhe pas ndihmës së parë mjekësore, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital”, thuhet në njoftim.

Dorasi i dyshuar dyshohet edhe për plagosjen e R.K., 65 vjeç dhe E.K. 45 vjeç, babë e bir, të cilët ishin pala tjetër në proces.

Policia tha se përveç dorasit të dyshuar, i ka arrestuar edhe dy të dyshuar të tjerë me inicialet G.Sh. dhe B.K.

“Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi G. Sh. nuk ndërmerr asnjë veprim për të ndërprerë veprimet kriminale të nipit të tij, çka krijon dyshimin e arsyeshëm se ai ka qenë në dijeni të planit për ekzekutimin e gjyqtarit të çështjes, në rolin e shtytësit dhe/ose ndihmësit”, theksoi Policia.

Ajo shtoi se dorasi i dyshuar ia kishte dorëzuar armën shtetasit B.P., me detyrë nëpunës gjyqësor, për mbikëqyrjen dhe mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore, në një tjetër sallë, pasi e kishte kryer aktin e dyshuar.

Sipas, Top Channel gjyqtari i vrarë Kalaja në shtatë vjetët e fundit kishte ushtruar detyrën e anëtarit të Gjykatës së Apelit, ndërkaq në total kishte shërbyer për 18 vjet në sistemin e drejtësisë.

Në kuadër të procesit të vetting-ut të kryer në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, ai ishte rikonfirmuar në detyrën e gjyqtarit në dhjetor të vitit 2019.

Vetting-u, apo procesi i verifikimit të figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, nisi në Shqipëri në fund të vitit 2016, pas miratimit të ndryshimeve ligjore.

Përmes këtij procesi u bë vlerësimi i gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve të tjerë të sistemit të drejtësisë, duke u bazuar në integritetin, pastërtinë e figurës së tyre dhe aftësive profesionale.

Procesi synonte ta pastronte sistemin nga individë të përfshirë në korrupsion, që kishin lidhje kriminale apo kishin mangësi profesionale.

Procesi i Vetting-ut në Shqipëri përfundoi në fund të vitit 2024.

Vrasja e tij është dënuar nga krerët e shtetit në Shqipëri si sulm ndaj drejtësisë./REL