Policia serbe hyn në Kosovë, gjithë bota i pa, vetëm policia e Agim Veliut jo!

Kastrati: Hyrja e xhandarmërisë serbe në Karaçevë është kërcënim

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, e ka quajtur shqetësues veprimin e hyrjes në Karaçevë të xhandarmërisë serbe, të cilin Policia e Kosovës sot tha se nuk e ka parë.

“Është tejet shqetësues që përsëri sot gjatë ditës disa paramilitarë apo militarë të armatosur serb, hyn në territorin e Kosovës, konkretisht në fshatin Karaçevë. Siç shihet në edhe në video, ata kanë ardhur në një zonë të frekuentuar nga banorët e të gjitha moshave. Provokimi i vazhdueshëm dhe terrorizimi i qytetarëve të kësaj ane, është i papranueshëm. Ky është kërcënim direkt për banorët e Karaçevës dhe për gjithë shtetin tonë”, shkruan Kastrati.

Kastrati hotë se lidhur me këtë çështje “u kam nisur shkresë zyrtare Presidentit të Kosovës, Kryeministrit, Ministrit të Mbrojtjes e atij të Punëve të Brendshme, që konform kompetencave të tyre të veprojnë në këtë drejtim”.

Policia e Kosovës thotë se s’ka hasur në xhandarmërinë serbe në Karaçevë

Policia e Kosovës thotë se pas raportimit të një informacioni nga Karaçeva e Kamenicës, njësitet policore kufitare kanë reaguar menjëherë duke shkuar dhe patrulluar tek vendi ku është raportuar rasti, porse, nuk kanë hasur në xhandarmërinë serbe.

“Njësitet policore nuk kanë hasur në atë lokacion ndonjë njësi apo siç është informuar për ushtri të Serbisë”, thuhet në përgjigjen e PK-së për KOHËN.

Tutje, thuhet se njësitet policore kanë bërë shikimin e vendit sipas koordinatave si dhe kanë bërë patrullime dhe vëzhgime në atë zonë.

“Po ashtu është njoftuar edhe KFOR-i, pasi që mandatin e sigurisë së zonës së kufirit me Serbinë, ende e ka KFOR-i”, thuhet në përgjigje.

Pak më herët, drejtori Rashit Qalaj tha se lëvizje ka pasur, por nuk dihet se a ka qenë në territorin e Kosovës.

Qalaj: Nuk mund të themi nëse xhandarmëria serbe u fut në territorin e Kosovës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në një përgjigje për KOHËN tha se nuk dihet nëse xhandarmëria serbe, është futur në territorin e Kosovës.

“Është e vërtetë, ka pasur lëvizje por nuk mund të themi se ka qenë në territorin e Kosovës, sepse atë pjesë e kontrollon KFOR-i”, tha shkurt Qalaj për KOHËN derisa ka shtuar se së shpejti lëshojnë një komunikatë për media me sqarime.

Deputeti Bajqinovci thotë se xhandarmëria serbe është futur në Kosovë, policia nuk flet

Deputeti i Vetëvendosjes Mefail Bajqinovci, ka publikuar një video ku thotë se shihet xhandarmëria serbe tek futet në fshatin Karaçevë, të Komunës së Kamenicës.

Video-ja është realizuar nga pronari i një restoranti në këtë fshat, i cili po ashtu e ka publikuar videon në rrjetet sociale.

“Sot rreth orës 17:00, xhandarmëria serbe është futur rreth 1 km në brendësi të territorit të Kosovës, konkretisht në fshatin Karaçevë,Komuna e Kamenicës. Kamerat e sigurisë kanë kapur 11 pjesëtarë të uniformuar dhe të armatosur që kanë kaluar nëpër parkingun e Restaurant “Oxygen” që është pronë e Adhurim Krasniqit. Institucionet e sigurisë së Kosovës, duhet të veprojnë urgjentisht për të mbrojtur qytetaret, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Për herë të parë xhandarmëria serbe patrullon lirshëm në lagje të qytetarëve të Karaçevës. Pamjet janë marrë nga restorani “Oksigjen””, përfundon Bajqinovci.

KOHA ka provuar në disa adresa të kontaktojë gjatë mbrëmjes së sotme me Policinë e Kosovës, por askush s’ka kthyer përgjigje.