Policia pranon dhunën ndaj protestuesve, pezullohen 4 efektivë dhe shefi i rendit në Komisariatin nr. 1.

Policia e Shtetit pezullon nga detyra katër efektivë dhe shefin e Rendit në Komisariatin Nr. 1, pas pamjeve të 19-vjeçarit të dëmtuar në këmbë gjatë protestës. AMP dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për rastin.

Policia e Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë dhe të shefit të Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, nënkomisar F. K., pas publikimit të pamjeve ku shfaqet një 19-vjeçar i dëmtuar në këmbë, teksa shoqërohet nga efektivët pranë Parlamentit për t’u dërguar në spital.

Në reagimin zyrtar, Policia bën me dije se ka nisur verifikimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe mënyrën se si është trajtuar i riu nga punonjësit e saj. Paralelisht, ndaj efektivëve të pezulluar ka nisur një hetim disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.

Për të zbardhur të gjitha rrethanat, është ngritur edhe një grup i posaçëm që do të analizojë veprimet e punonjësve të Policisë nga fillimi deri në përfundim të tubimit, si dhe zbatimin e procedurave standarde të punës.

“Çdo punonjës që ka shkelur procedurat apo ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi”, thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit.

Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për rastin.

Pezullimi i efektivëve dhe nisja e hetimeve vijnë pas publikimit të pamjeve të 19-vjeçarit të dëmtuar gjatë protestës, të cilat kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e ndërhyrjes dhe trajtimit të protestuesve nga forcat e rendit.