Policia gjen armë dhe municion në një banesë të uzurpuar në Mitrovicë të Veriut

Policia e Kosovës ka gjetur armë dhe municion në rrugën “Lola Ribar” të Mitrovicës së Veriut.

Në njoftim publik u tha se të martën (5 gusht), njësitë policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri kanë asistuar Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Vlerësim të Pronës (AKKVP), pas kërkesës zyrtare të kësaj agjencie për ofrim të mbështetjes gjatë realizimit të detyrave të tyre.

Sipas Policisë, armatimi është gjetur në një banesë e cila ishte e uzurpuar prej kohësh.

“Gjatë këtij asistimi, në rrugën ‘Lola Ribar’ – Mitrovicë Veri, konkretisht në një banesë e cila ishte e uzurpuar dhe e mbyllur (pa banorë), policia ka gjetur dhe sekuestruar 56 fishekë të kalibrave të ndryshëm, municion për pushkë ajrore, 1 optik për armë të gjatë, 1 kuti për mbushje të municionit, 1 fotrollë për pistoletë, 2 gaz-maska, 2 video-kamera dhe 1 video-kasetë e vogël, dokumente të ndryshme, 1 foto-aparat, 1 lexues (DVD) dhe 1 vulë të rrumbullakët”, tha Policia në njotim.

Po ashtu, u tha se është identifikuar gruaja e të dyshuarit për uzurpim prone, pasi ajo banonte aftër banesës në fjalë.

“Në vijim të hetimeve Policia ka identifikuar bashkëshorten e personit i cili dyshohet se e kishte uzurpuar pronën e cila banonte në një banesë aty afër. Në bazë të dyshimeve është kontrolluar edhe në banesën tjetër ku policia ka gjetur dhe sekuestruar 1 pistoletë, 1 tytë e armës së shkurtë, 1 fishek dhe 1 armë (e modifikuar, stilolaps)”, tha PK-ja.

Lidhur me rastin, Policia njoftoi se është arrestuar e dyshuara M.A., 56 vjeçe, e cila është intervistuar, dhe ndaj saj me urdhër të Prokurorit është iniciuar rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Pas intervistimit, e dyshuara është liruar, ndërsa rasti procedohet në procedurë të rregullt. /Klankosova.tv