Policia e Shqipërisë: Gjashtë drejtues të MEK-ut nën hetime

Gjashtë drejtues të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK) në Shqipëri, janë nën hetim në gjendje të lirë nga policia e Durrësit.

Policia e Shqipërisë bëri të ditur se rasti me gjashtë iranianët (të moshave nga 61-73 vjeç) është proceduar dhe ata dyshohen për veprat penale “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” , “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkatërrim i pronës” dhe “Pengim për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”.

“Gjatë kryerjes së veprimeve procedurale konform ligjit, shërbimet e Policisë janë ndeshur me kundërshtimin e dhunshëm dhe të vazhdueshëm të shtetasve që strehohen në rezidencë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Aty shtohet se shtetasit iranianë “tentuan të pengonin shërbimet e Policisë për të vazhduar kontrollet dhe për të sekuestruar provat materiale – objekt i vendimit të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.

Policia sqaroi, gjithashtu, se po vazhdojnë hetimet e detajuara për të dokumentuar me prova ligjore veprimet e kundërligjshme të kryera nga shtetasit rezidentë në kampin e Manzës, gjatë zhvillimit të operacionit të kryer nga Policia e Shtetit për kontrollin në ambientet e brendshme të kampit.

Në kampin e Manzës së Durrësit, Policia e Shqipërisë më 20 qershor kreu një aksion, gjatë të cilit mbetën të lënduar 15 zyrtarë policorë dhe 21 anëtarë të MEK-ut. Policia tha se kontrolli u krye sipas urdhrit të Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), por nuk tregoi se për çfarë hetimi bëhet fjalë.

Më 2013, autoritetet shqiptare janë pajtuar – me kërkesë të Shteteve të Bashkuara – që të pranojnë rreth 3.000 pjesëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK).

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) e ka përkrahur aksionin policor.

Të mërkurën situata në kampin iranian në Manzë ishte e qetë. Nuk ka pasur prani të policisë së shtetit dhe as protesta apo ndonjë reagim nga pjesëtarët e këtij komuniteti.

I gjithë perimetri jashtë kampit mbikëqyret nga një kompani private e sigurisë (Arb Security), e cila nuk lejon futjen e personave të paautorizuar nga drejtuesit e MEK-ut.

Në hyrje të kampit janë vendosur tabela paralajmëruese se ndalohen fotografimet dhe filmimet brenda ambienteve. Nga ky urdhër pati përjashtim vetëm ditën e martë pas aksionit të Policisë së Shtetit, kur përfaqësues të MEK-ut ftuan të gjithë gazetarët të hynin në ambientet e brendshme dhe të filmonin gjithçka për të provuar, sipas tyre, pretendimet se ka pasur dhunë gjatë operacionit. Ata thanë për mediat se ka pasur edhe një viktimë.

Gjatë ditës së mërkurë, derisa media të ndryshme raportonin para kampit, punonjësit e sigurisë kërkuan të dhëna për çdo punonjës të mediave.

Një ditë më parë, më 20 qershor, rreth një mijë forca të Policisë së Shqipërisë ndërhynë në kampin e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit për të kryer një kontroll në 127 objektet që shtrihen në një sipërfaqe prej 40 hektarësh.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, bënë të ditur se rezistenca e pjesëtarëve të kampit të Manzës nisi kur u konstatuan 17 ambiente ku ishin instaluar serverë dhe pajisje kompjuterike.

Si pasojë e rezistencës dhe protestave, mbetën të plagosur 36 persona, në mesin e të cilëve 15 efektivë policie dhe 21 anëtarë të MEK-ut. Policia hodhi poshtë pretendimet e organizatës MEK se një prej pjesëtarëve të tij, banor i kampit, humbi jetën si pasojë e dhunës nga ana e policisë.

“Asnjë person nuk është lënduar nga policia dhe as prekur me dorë prej efektivëve të policisë. Përkundrazi, Policia mbeti viktimë e dhunës së tyre. Nga ana jonë është përdorur thjesht sprej individual, i cili nuk ka sjellë asnjë lloj pasoje jetësore për rezidentët”, tha Rrumbullaku një ditë më parë në një konferencë për mediat pas aksionit në Manzë të Durrësit.

Gjatë kontrollit u sekuestruan 96 njësi kompjuterike, 49 laptopë, 2 tabletë, 3 karta memorie dhe materiale shkencore të shumta, të cilat anëtarët e MEK-ut tentuan t’i asgjësojnë me djegie.

Policia publikoi edhe video të realizuara me dron të momentit kur disa anëtarë të MEK po tentonin të digjnin materiale të ndryshme, ndërsa të tjera pamje treguan iranianët që u dolën para makinave të policisë duke tentuar t’i pengojnë ato për të hyrë brenda kampit.

Më 2013, autoritetet shqiptare ishin dakorduar – me kërkesë të Shteteve të Bashkuara – që të pranojnë rreth 3.000 pjesëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK).

Por, zëdhënësi i DASH-it ka theksuar se SHBA-ja nuk ofron mbështetje apo trajnime për MEK-un dhe nuk kontribuon në financimin e kësaj organizate.

Irani i konsideron si terroristë pjesëtarët e kësaj organizate. Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin pasi e fajësoi atë se qëndron prapa një sulmi kibernetik që ndodhi në korrik të vitit 2022./REL