Policia e Kosovës thotë se 16 persona nuk respektuan masat kundër koronavirusit

Policia e Kosovës njofton se gjatë 24-orëve të fundit 16 persona nuk kanë respektuar masat e vendosura nga qeveria, që kanë për qëllim frenimin e përhapjes së mëtejmë të koronavirusit.

Rastet e mosrespektimit të masave, sipas raportit 24-orësh të policisë kanë ndodhur në Prizren, Gjakovë, Rahovec dhe Vushtrri.

Në Prizren dhe Gjakovë, policia thotë se ka iniciuar raste ndaj shtatë personave pasi që të njëjti në lokalet e tyre janë hasur duke i shërbyer klientët dhe duke mos respektuar kështu masën e qeverisë.

Qeveria e Kosovës ua ka ndaluar punën lokaleve të gastronomisë nga ora 22:30 deri në orën 05:00.

Ndërkaq, në disa raste të ndara janë ndaluar disa persona të cilët nuk kanë respektuar masat.

Policia e Kosovës në një rast në Gjakovë njofton se ka arrestuar një person për shkak se kishte organizuar aheng familjar në të cilin kishin qenë disa persona ku kështu kishte vepruar kundër vendimit të qeverisë për parandalimin e përhapjes së sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.

“Në konsultim me prokurorin ndaj të dyshuarve janë inicuar lëndët e rastit në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në Kosovë janë të ndaluar të gjitha tubimet publike, përfshirë ahengjet familjare private, si dhe grumbullimin e më shumë se pesë personave në sheshe publike, parqe e të tjera.

Sipas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës, të datës 28 korrik, qytetarët obligohen të mbajnë maska, të respektojnë distancën dhe të mbajnë higjienën personale.

Në Kosovë, që prej 13 marsit deri më 8 gusht janë regjistruar 10,059 raste me COVID-19. Prej tyre, 315 pacientë kanë vdekur dhe 5,677 janë shëruar.