Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandës me mallra në zonën kufitare me Maqedonia e Veriut, përcjell TV21. Sipas njoftimit, rasti është zbuluar në zonën malore mes fshatit Radushë dhe rrugës që lidh Gorancën me Hanin e Elezit, ku është ndaluar një automjet që po lëvizte në mënyrë ilegale nga Maqedonia e Veriut drejt Kosovës. Një shtetas i Maqedonisë së Veriut është arrestuar, ndërsa gjatë kontrollit janë sekuestruar mallra pa dokumentacion, me vlerë prej dhjetëra mijëra eurosh. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa automjeti dhe mallrat janë konfiskuar si prova materiale.
“Policia e Kosovës, respektivisht Policia Kufitare nga Drejtoria Rajonale Kufitare Jugu, gjatë realizimit të detyrave operative në kuadër të planit “Mburoja e hekurt”, ka parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra në zonën kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Rasti ka ndodhur në zonën malore në mes të fshatit Radush (RMV) dhe rrugës që lidh fshatin Goranc me Hanin e Elezit. Njësitet policore, gjatë vëzhgimit në terren, kanë identifikuar një automjet që lëvizte në rrugë ilegale malore nga territori i Maqedonisë së Veriut në drejtim të Republikës së Kosovës, drejtuesi i të cilit ka tentuar të largohet nga njësia policore së bashku me një pasagjer, mirëpo automjeti është arritur të ndalohet nga zyrtarët policorë, me ç’rast është arrestuar njëri nga të dyshuarit shtetas i Maqedonisë së Veriut. Gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur dhe janë sekuestruar mallra të ndryshme, vlera e të cilave sipas vlerësimeve fillestare tejkalon dhjetëra mijëra euro, për të cilat i dyshuari nuk posedonte dokumentacion përkatës mbi prejardhjen. Pas konsultimit me prokurorin kompetent, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa malli dhe automjeti janë konfiskuar si dëshmi materiale në procedurë penale”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.








