Policia e Finlandës nuk do të lejojë djegien e Kuranit

Policia finlandeze paralajmëroi se nuk do të lejojë djegien e librave të shenjtë sikurse Kurani në vende publike.

Sipas mediave finlandeze, të cilat iu referohen agjencisë së lajmeve STT, Agjencia nacionale policore e Finlandës djegien e librave të shenjtë do ta trajtojë si “akt kriminal”. Në mënyrë të ngjashme do të trajtohet edhe përdhosja e librave të shenjtë.

Zyrtari i policisë, Vesa Pihajoki publikoi një kumtesë lidhur me këtë.

“Sikur të ishte planifikuar djegia e Kuranit, policia prej më parë do ta njoftonte organizatorin e protestës se kjo nuk do t’i lejohet. Gjithashtu, nëse ndodhë një akt i tillë gjatë protestave ose në ndonjë institucion tjetër që do ta vërejë policia, do të intervenojnë pjesëtarët e policisë”, tha Pihajoki.

Sipas mediave, ligji finlandez, për dallim prej vendeve të tjera skandinave, e mbron “paqen fetare” dhe shkeljet e saj mund të sanksionohen.

Më 21 janar Rasmus Paludan, lideri i partisë ekstreme të djathtë daneze Kursi i fortë (Stram Kurs), e dogji një kopje të Kuranit para Ambasadës në Stokholm.

Askush nuk ka guxuar t’i afrohet Paludanit gjatë aktit, që ka ndodhur nën mbrojtjen e policisë.

Më 27 janar Paludan gjithashtu e dogji një kopje të Kuranit para një xhamie, ndërsa më pas edhe para Ambasadës turke në Kopenhagë.