Policia bastis objektet e strukturave paralele serbe në rajonin e Dukagjinit

Prokuroria e Pejës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë duke zhvilluar një aksion në fshatin Gorazhdec të Pejës dhe në Osojan të Istogut.

Sipas njohurive të Klankosova.tv, në këto dy fshatra, që janë të banuara me popullatë serbe, janë të përqendruara strukturat paralele serbe.

Klankosova.tv e ka kontaktuar zëdhënësin e Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikqin, për të marrë më shumë informata lidhur me rastin dhe i njëjti ka thënë se aksioni ka të bëjë me dyshimin se po kryhen veprimtari ilegale që janë në kundërshtim me ligjin.

“Aktualisht Prokuroria bashkë me Policinë e Kosovës është duke zhvilluar aksion në disa lokacione me kompetencën e Prokurorisë së Pejës dhe aktualisht bashkë me Policinë e Kosovës aksioni është duke u zhvilluar. Pas përfundimit të aksionit, do të ju njoftojmë për gjetjet. Kjo po bëhet lidhur me dyshimin se ka veprimtari ilegale që janë në kundërshtim me ligjin”, është shprehur Nikqi.