Policët e plagosur nga shpërthimi i mbrëmshëm në Prizren jashtë rrezikut për jetë

Nga shpërthimi që ndodhi mbrëmë në Zhur të Prizrenit, një polic mbeti i vrarë ndërsa dy të tjerë së bashku me një fëmijë u plagosën. Sami Thaçi është polici i cili humbi jetën në krye të detyrës gjatë një bastitje të një shtëpie në Zhur.

Gjendja shëndetësore e të lënduarve sot është më e mirë. Kështu ka thënë për lajmi.net, drejtori i Spitalit të Prizrenit, Afrim Avdaj

Ai tha se mbrëmë kanë pranuar katër policë, ndërsa njëri nga është nisur nga Spitali i Prizrenit për në QKUK në gjendje të rënë.

“Polici i parë i pranuar me lëndime të kokës të fytyrës dhe qafës, të krahut dhe para-krahut është dërguar në QKUK me gjendje të rënduar”, ka thënë Avdaj.

Avdaj ka theksuar se fëmija i lënduar dhe policët tjerë të pranuar në spital për shkak të lëndimeve që kanë marrë janë jashtë rrezikut për jetë.

Ndërkohë nga QKUK kanë bërë të ditur se polici tani është në kujdes intensiv pasi iu është ofruar ndihma e nevojshme.