Policët e dyshuar për ryshfet në Bllacë ende marrin pagë!

Dy policët kufitar të cilët u kapën nga kamerat duke marrë ryshfet janë të suspenduar por ende vazhdojnë të marrin një pjesë të pagës. Sot Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski tha se procedura disiplinore ende po zhvillohet. Se a ka pasur të përfshirë tjerë në këtë skandal kjo do të zbulohet pas zbardhjes së rastit. E deri ku është procedura e gjykimit nga ana e organeve të drejtësisë, pyetëm në prokurori, nga ku ende po presim përgjigje.

“Janë të suspenduar dhe është ngritur kallëzim penal, kështu që procedura zhvillohet në pjesën disiplinore dhe në pjesën e përgjegjësisë penale. Po punohet në këtë rast kështu që të gjitha informacionet kur do të jenë të gatshme do të jepen në publik. Për momentin ata janë të suspenduar nga marrëdhënie me punën, parashihet marrja e një pjese të pagës derisa nuk përfundon afati i procedurës disiplinor”, tha Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme./TV21