Polemikë Surroi-Ramabaja: Demonstratat e vitit 1981 s’ishin gabim historik, por momenti i subjektivizimit politik të Kosovës

Demonstratat e vitit 1981 nuk ishin gabim historik, por momenti i subjektivizimit politik të Kosovës
Z. Veton Surroi ka zgjedhur t’i përgjigjet reagimit tim për deklarimet e tij lidhur me demonstratat e vitit 1981 duke sqaruar se nuk po polemizon me librin tim Liria pa heronj, sepse nuk e ka lexuar atë. Ky sqarim është i dobishëm. Ai na lejon të kuptojmë se nuk kemi të bëjmë me debat rreth tezave të paraqitura në libër, por me dy lexime të ndryshme të historisë së Kosovës.
Në këtë kuptim, dallimi nuk është vetëm në interpretimin e vitit 1981. Dallimi është më i thellë: ka të bëjë me mënyrën se si kuptohet vetë procesi i formimit politik të Kosovës moderne.
Në tekstin e tij, z. Surroi e paraqet Rezolutën e Bujanit si dokumentin themelor politik të Kosovës dhe më pas gjithë zhvillimet e periudhës 1945–1999 si një lloj “plani B”, të kushtëzuar nga raportet e pafavorshme të forcës. Kjo qasje ka vlerën e vet shpjeguese. Por ajo mbetet e paplotë, sepse i jep përparësi pothuaj ekskluzive proceseve institucionale dhe negociatore, ndërsa e nënvlerëson rolin e mobilizimit politik dhe të rezistencës shoqërore.
Për rolin dhe peshën historike të Konferencës së Bojanit, ç’është e vërteta, po ta kishte lexuar librin, do ta kishte kuptuar se kemi pikëpamje pothuajse të njejta.
Ndërkaq në leximin e tutjeshëm të historisë dallojmë shumë.
Historia e Kosovës, z. Veton Surroi nuk është ndërtuar vetëm në tavolina negociatash. Ajo është ndërtuar edhe në burgje, në demonstrata, në organizime ilegale, në sakrifica individuale dhe kolektive. Nëse do të mjaftonin vetëm proceset negociatore, atëherë kërkesa për Republikë do të ishte realizuar që në fund të viteve gjashtëdhjetë, kur ajo ishte artikuluar edhe brenda strukturave politike të kohës, siç e pohon jo vetëm ti.
Por nuk ndodhi kështu.
Pikërisht këtu qëndron rëndësia historike e vitit 1981.
Argumenti i z. Surroi se në vitin 1981 nuk po zhvillohej ndonjë proces kushtetues nuk e zbeh rëndësinë e demonstratave. Përkundrazi. Demonstratat nuk lindën si reagim ndaj një procedure juridike. Ato lindën nga mospërputhja ndërmjet nivelit të emancipimit politik të shqiptarëve të Kosovës dhe kufijve që sistemi jugosllav i kishte vendosur këtij emancipimi.
Historia nuk ecën vetëm kur hapen procese kushtetuese. Shpesh janë pikërisht lëvizjet politike ato që krijojnë kushtet për procese të reja kushtetuese.
Demonstruesit e vitit 1981 nuk po kërkonin rikthimin e diçkaje që ekzistonte. Ai lumë i të rinjëve dhe më pas një pesë e mirë e popullit, në rrugët dhe sheshet jo vetëm të Prishitnës [1981] po kërkonin atë që mungonte: statusin e Republikës dhe barazinë politike brenda federatës. Kjo ishte vazhdimësi e kërkesës së vitit 1968, por tashmë e transferuar nga sallat e mbledhjeve në hapësirën publike dhe në vetëdijen kolektive të shqiptarëve të Kosovës.
Pikërisht për këtë arsye demonstratat e vitit 1981 përbëjnë një pikë kthese historike. Ato e shndërruan kërkesën për Republikë nga një debat i kufizuar institucional në program politik të një kombi.
Është e vërtetë se pas demonstratave filloi një valë represioni. Është e vërtetë se Serbia e shfrytëzoi atë klimë për të përshpejtuar projektin e saj centralizues. Por nga kjo nuk mund të nxirret përfundimi se demonstratat ishin gabim historik.
Po të ndiqnim këtë logjikë, atëherë çdo rezistencë kundër një regjimi represiv do të duhej gjykuar sipas represionit që pason, jo sipas drejtësisë së kërkesës që ngrihet.
Në të vërtetë, zhvillimet e viteve 1989, 1990 dhe 1991 nuk mund të kuptohen pa vitin 1981. Minatorët e Trepçës, Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut, Kushtetuta e Kaçanikut dhe referendumi për pavarësi nuk dolën nga hiçi. Ato ishin vazhdimësi logjike e procesit politik që kishte marrë formë publike në pranverën e vitit 1981.
Prandaj, problemi nuk qëndron tek fakti se demonstratat ndodhën në një kohë kur nuk kishte proces kushtetues. Problemi qëndron në supozimin se historia duhet të presë lejen e proceseve kushtetuese për t’u vënë në lëvizje.
Historia e Kosovës dëshmon të kundërtën.
Shpeshherë kanë qenë pikërisht lëvizjet politike, demonstratat dhe rezistenca qytetare ato që kanë detyruar institucionet të ndryshojnë. Në këtë kuptim, demonstratat e vitit 1981 nuk ishin devijim nga rruga e shtetformimit të Kosovës. Ato ishin momenti kur projekti i Republikës kaloi nga niveli i aspiratës së elitave në vetëdije politike të shoqërisë shqiptare në Kosovë.
Pikërisht për këtë arsye, viti 1981 mbetet një nga themelet historike mbi të cilat u ndërtua rruga drejt pavarësisë së Kosovës.

*Teksti eshte marr nga facebook’u i profesor Sadri Ramabaja, qe eshte pjese e polemikes qe ka shperthyer diteve te fundit, rreth demonstrata e vitit 1981