Poeti, palaçoja dhe Hitleri

Shkruan: Enver Robelli

Asnjë diktaturë nuk funksionon pa propagandë. Propaganda duhet të jetë permanente. Në mënyrë që populli të “argëtohet” çdo ditë me gjuhë urrejtjeje, gjuhë rrugaçësh dhe gjuhë kërcënuese.

Më 20 prill 1923, njëqind vjet më parë, bash në ditëlindjen e Adolf Hitlerit, doli në shitje gazeta “Der Stürmer – Deutsches Wochenblatt zum Kampfe um die Wahrheit”, [Sulmuesi – Gazetë javore gjermane e luftës për të vërtetën]. Gazeta drejtohej nga urrejtësi i madh i hebrenjve, nga psikopati, adhuruesi i fantazive vrastare dhe mësuesi provincial, Julius Streicher. Motoja e gazetës ishte frikshëm e qartë që në numrin e parë: “Hebreu duhet të largohet!”

Në numrin e parë “Der Stürmer” botoi një mesazh përgëzues të kryeredaktorit të gazetës së partisë naziste NSDAP “Völkischer Beobachter” (Vëzhguesi popullor), Alfred Rosenberg, i cili besonte se me emrin e Adolf Hitlerit te populli gjerman do të ndahet shapi nga sheqeri. Vetë Adolf Hitleri mbajti një fjalim në cirkun “Krone” në München ku, mes tjerash, tha: “Hebrenjtë mund t’i durojmë vetëm nëse nuk na dëmtojnë si mysafirë. Por ata na bëjnë dëm, andaj nuk mund t’i durojmë”.

Persona si Streicher dhe Rosenberg ishin idiotë të dobishëm të diktatorit, gjithsesi të rrezikshëm, por shpikësi ideologjik i Adolf Hitlerit është Dietrich Eckart (1868-1923). Ai ishte poet, publicist dhe përkthyes (mes tjerash përktheu në gjermanisht dramën “Peer Gynt” të Henrik Ibsenit). Eckart ishte i pari që e quajti Hitlerin “Führer” (më 1921).

Te Hitleri ai pa talentin e demagogut për manipulimin e masave. Kështu e definonte Eckart udhëheqësin (Führer-in): “Duhet të vijë në krye një djalë që e dëgjon pushkën automatike. Llumi duhet t’i mbushë pantallonat nga frika. Një oficer nuk më duhet, sepse populli nuk ka më respekt për ta. Më së miri do të ishte një punëtor të cilit i punon gjuha. (…) Tru s’duhet të ketë aq, politika është biznesi më i marrë në botë”.

Hitlerit i punonte gjuha. Në fund të vëllimit të dytë të librit të tij “Mein Kampf” (Lufta ime) Hitleri i drejtohet mikut të tij Dietrich Eckart me përkushtimin dhe lavdërimin për punën e tij “në zgjimin e popullit të tij – duke shkruar dhe menduar, dhe në fund duke vepruar”. Eckart, i cili vuante nga konsumimi i tepërt i morfinës dhe alkoolit, nuk e kishte talentin retorik-popullist të Hitlerit. Çfarë ëndërronte për veten Eckart e projektoi te Hitleri.

Sekretarja e Hitlerit, Christa Schröder, e përshkruante Eckartin si mikun mbase të vetëm apo kryesor të Hitlerit. Për Hitlerin, Eckarti ishte figurë babai, mentor dhe udhërrëfyes. Vdiq më 26 dhjetor 1923 dhe nuk e pa rrugëtimin e mëtutjeshëm vrastar të Adolf Hitlerit.

Eckarti u varros në Berchtesgaden të Bavarisë së Epërme. Varri i tij deri së voni është mirëmbajtur nga persona të panjohur. Duke iu referuar mbrojtjes së të dhënave, autoritetet nuk kanë treguar se kush janë “kultivuesit” e varrit të ideologut të hershëm nazist. Më 2019 komuna Berchtesgaden vendosi të shkulë dy lisa të gjatë që i bënin hije varrit të Eckartit. Autoritetet vepruan kështu pas këshillave përkatëse nga enti lokal për mirëmbajtjen e varrezave. Në krye të varrit gjendet një gur i lartë varri me emrin e gravuar të të vdekurit. Përveç heqjes së lisave afër varrit, e ndaluar është edhe vendosja e luleve, kurorave dhe zbukurimeve të tjera mbi varr.

Julius Streicher, ndërkaq, e përjetoi kulmin e pushtetit të Hitlerit. Streicher nuk vrau me dorë të vet asnjë hebre, por ai e përgatiti terrenin për miliona vrasje. Me gjuhën e tij, me të gajasurit e tij, me kënaqësinë perverse që ndiente kur nxiste urrejtje, me energjinë e pashtershme për të ndërsyer masat.

Sa çfarë psikopati ishte Julius Streicher e tregon ky reagim i Joseph Goebbelsit më 1933: “Shumë nga të rinjtë tanë po e teprojnë sa i përket çështjes së hebrenjve. Fajin për këtë e bartin Streicheri dhe shokët e tij, por deri diku edhe vetë Hitleri, sepse nuk e ka shmangur këtë njeri të tmerrshëm, siç kam kërkuar shpesh”.

Hitleri e quante Streicherin “palaço”: një palaço propagandistik, të cilin Tribunali Ushtarak Ndërkombëtar i Nürnbergut e shpalli fajtor më 16 tetor 1946, për shkak të krimeve kundër njerëzimit. Streicher i ngjiti 13 shkallët që e çonin te trekëmbëshi. Aty ia vendosën litarin dhe Streicher përfundoi në thellësi. Vdiq duke luftuar.