Podujeva nuk është larg (Maqedonisë)!

Xhelal Musai
E kuptoj panikun që vërehej qartë mbrëmë në fytyrën e Agim Veliut dhe gjithë LDK-së. Janë të vetëdijshëm se në çfarë derexhe kanë rënë me humbjen e bastionit të tyre, Podujevës. Për pak, të më vinte keq për herë të parë për këto figura negative, teksa i shikoja duke e pranuar humbjen. E kuptoj edhe panikun te figurat e PDK-së, të cilave dje në Podujevë u shuan ëndrrat se me parullën e nxjerrë jahstë konteksti “Liria ka emër”, do të ngjallin solidarizim tek qytetarët kosovarë. Podujeva tregoi se mbarë Kosova e ka kuptuar që se përmes kësaj parulle PDK mundohet të bëjë fushatë të kotë politike, që nuk dha rezultat.

E kuptuan edhe LDK-ja, edhe PDK-ja, se disponimi “51 për qind” i kosovarëve për Vetëvendosjen nuk është as hajgare, as propagandë, por është një realitet (për ta i hidhur). E nëse në Podujevë është 51 për qind. Lehtë mund të supozohet se në mbarë Kosovën mund të jetë 55, e ndoshta edhe 60 për qind. Deri këtu gjithçka është e qartë.

Mirëpo si shqiptar nga Maqedonia, assesi nuk mundesha ta kuptoj sikletin që kaploi “analistët e pavarur të pushtetit” këtu tek ne, menjëherë pas shpalljes së fitores së madhe të Vetëvendosjes në Podujevë. Pse e ndërprenë “grevën” e filluar në shenjë revolte që analistat maqedonas paguhen më shumë se ta?
Mundoheshin të ironizojnë me rezultatet e Podujevës, të devalvojnë në ndonjë mënyrë fitoren e Vetëvendosjes, të na bëjnë me qeshë,… por kot e kishin. Neve më shumë na qahej me tentimet naive të këtyre analistëve, se sa që na qeshej, ose që na vinin interesant postimet e tyre.

Mirëpo, sikleti i “analistëve të pavarur të pushtetit” në Maqedoni mu bë i qartë kur e kuptova se Podujeva, ka qenë bastion i pamposhtur i LDK-së. Figurativisht, diçka si Kërçova që është në Maqedoni për pushtetin. Aty mu kujtua shprehja “Ukraina nuk është larg”. Që do të thotë se Podujeva është edhe më afër. Podujeva është afër Likovës, Kumanovës, Shkupit, Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, e Strugës…
E dinë shumë mirë këta analistë të pavarur se kush simbolizon është PDK-ja e e LDK-ja në Maqedoni, e kush është Vetëvendosja. E dinë kush është Isa Mustafa i Maqedonisë, e kush është Albin Kurti ynë. E dinë se kush e keqpërdor në Kosovë emblemën e shenjtë të UÇK-së për të mbuluar krimin e korrupsionin, e kush e keqpërdor tek ne. Janë e njëjta strukturë! E dinë që disponimi politik i shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë, shumë herë, mos të them, çdo herë është i njëjtë. E dinë se kur ndodh ndryshimi në Kosovë, medoemos reflekton edhe tek ne. Kështu që tani e kam të qartë sikletin e “analistëve të pavarur”. Do të pajtoheni me mua se sikleti i tyre është shumë me vend. Sepse Podujeva, megjithatë nuk është larg!