Presidenti iranian Masoud Pezeshkian i bëri thirrje publikut amerikan të vërë në pikëpyetje qëllimin e një lufte të mundshme me Iranin, në një letër të hapur të publikuar të mërkurën në X.
“Irani… në historinë e tij moderne nuk ka zgjedhur kurrë rrugën e agresionit, zgjerimit, kolonializmit apo dominimit”, shkroi Pezeshkian.
Ai shtoi se iranianët “nuk ushqejnë armiqësi ndaj kombeve të tjera, përfshirë popullin e Amerikës”, duke argumentuar se portretizimi i Iranit si një kërcënim, është “produkt i tekave politike dhe ekonomike të të fuqishmëve”.
“Kjo ngre një pyetje themelore: Saktësisht cilat nga interesat e popullit amerikan po i shërbehen vërtet nga kjo luftë?”, pyeti ai në letër.
Pezeshkian gjithashtu pretendoi se Shtetet e Bashkuara po vepronin në emër të Izraelit në konfliktin e tij me Iranin.
“A nuk është gjithashtu e vërtetë që Amerika ka hyrë në këtë agresion si një përfaqësuese për Izraelin, e ndikuar dhe e manipuluar nga ai regjim?”, shkroi ai, duke paralajmëruar se sulmet ndaj infrastrukturës dhe veprimet e vazhdueshme ushtarake do të rrisnin paqëndrueshmërinë dhe vuajtjet njerëzore.
“Vazhdimi në rrugën e konfrontimit është më i kushtueshëm dhe i kotë, se kurrë më parë”, shtoi ai.
“Sot, bota ndodhet në një udhëkryq. Vazhdimi në rrugën e konfrontimit është më i kushtueshëm dhe i kotë se kurrë më parë”, shkroi presidenti në mesazhin e tij.
Irani kishte parë shumë agresorë gjatë gjithë historisë së tij: “E tëra çfarë mbetet prej tyre janë emra të njollosur në histori, ndërsa Irani qëndron – i qëndrueshëm, dinjitoz dhe krenar”, shkroi Pezeshkian.
Zgjedhja midis luftës dhe paqes do të formësonte të ardhmen e brezave të tërë, shkroi ai.
Sipas standardeve iraniane, një letër e hapur drejtuar popullit të SHBA-së është mjaft e pazakontë. Prandaj, vëzhguesit e shohin atë si një përpjekje të Iranit për të bindur publikun amerikan, se vendimi i qeverisë së tij ishte i gabuar dhe kështu të detyrojë në mënyrë indirekte një armëpushim.
Lufta e nisur nga Izraeli dhe SHBA-të është tani në javën e saj të pestë.
Të mërkurën, Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se Irani kishte kërkuar armëpushim. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit e hodhi poshtë menjëherë këtë kërkesë. Transmetuesi shtetëror IRIB citoi Esmail Baghaei të thoshte se deklaratat e Trump ishin të rreme dhe të pabaza.
Trump ia atribuoi kërkesën për armëpushim “Presidentit të Ri të Regjimit” të Iranit. Mbeti e paqartë se kë saktësisht nënkuptonte me këtë.
Trump i dha Iranit një ultimatum që do të skadojë në mbrëmjen e 6 prillit. Deri atëherë, vendi duhet të rihapë transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit, e cila është e rëndësishme për transportin e naftës.
Që kur Izraeli dhe SHBA-të filluan luftën më 28 shkurt, transporti detar përmes ngushticës ka ardhur praktikisht në një ndalesë.



