Po pastrohet rruga para objektit komunal në Zveçan

Kryetarët hyjnë në objektet komunale mes tensionesh në veri, Serbia ngre gatishmërinë luftarake

Në mes tensionesh, kryetarët e rinj të tri komunave në veri të Kosovës – Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok, kanë hyrë në objektet komunale të premten, një ditë pas betimit. Atyre u është dashur ndërhyrja e Policisë për t’i larguar protestuesit dhe barrikadat para objekteve komunale. Policia është përballur me shok-bomba e të shtëna armësh nga protestuesit. Në anën tjetër, Serbia ka ngritur në gatishmëri të lartë luftarake ushtrinë.


Protestuesit serbë kanë hedhur shok-bomba te ndërtesa e Komunës në Leposaviq, ka njoftuar ekipi i KOHËS nga vendi i ngjarjes. Po ashtu janë dëgjuar të shtëna armësh.

Raportohet se Policia ka ndërhyrë për t’i shpërndarë protestuesit.

Megjithatë, të tre kryetarët tashmë kanë hyrë në objektet komunale. Policia ka rrethuar objektet dhe lagjet përreth.


Vendoset flamuri i Kosovës në objektin e Komunës së Leposaviqit

Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ka hyrë në objektin e Komunës dhe me të hyrë ai është vendosur edhe flamuri i Kosovës, ka njoftuar gazetarja e KOHËS nga vendi i ngjarjes, Marigona Ibrahimi.

Ajo ka thënë se pas tensioneve të mëhershme, tash në afërsi të objektit të komunës janë 4-5 autoblinda të Policisë.

Janë larguar të gjitha barrikadat para objektit.

Situata tani konsiderohet më e qetë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë dënuar aksionin e Policisë së Kosovës në veri. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka theksuar se dhuna e sotme në veri duhet të ndalohet menjëherë. “SHBA-ja…

Tensione në veri, të shtëna armësh e gaz lotsjellës

Policia e Kosovës është përpjekur ta ruajë rendin e qetësinë para ndërtesës së Komunës së Zveçanit ku janë mbledhur qytetarë serbë.

Nga pamjet që janë transmetuar live nga qytetarët shihet se është hedhur gaz lotsjellës si dhe dëgjohen krisma armësh.

Policia ka njoftuar se ka qenë duke i asistuar kryetarët e rinj të komunave të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin-Potokut të hyjnë në objektet e ndërtesave komunale.

Pas të shtënave para komunës së Zveçanit, serbët e tubuar janë dëgjuar duke thirrur “ubij”, që në shqip do të thotë “vrite”.

Policia është futur në ndërtesën e Komunës së Zveçanit.

Kryetari i Zveçanit hyn në objektin e Komunës

Ilir Peci, kryetar i Komunës së Zveçanit, ka arritur të hyjë brenda objektit të Komunës, pas tensioneve në hyrje të objektit. Në objektin e Komunës ka hyrë edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, raporton ekipi i KOHËS nga vendi i ngjarjes.

Ministri Krasniqi ka refuzuar të flasë për mediat pas largimit.

 

Policia e Kosovës ka dalë me komunikatë pas lëshimit të sirenave të alarmit në komunat veriore. Policia ka thënë se sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese po ndërmerr veprimet e saja policore në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e…

​Digjen disa vetura të Policisë në Zveçan

Të shtëna armësh janë dëgjuar në Zveçan, ndërsa janë djegur vetura të Policisë.

Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë qytetarët e mbledhur para objektit të Komunës së Zveçanit.

Gjatë ditës, Policia e Kosovës ka njoftuar se po asiston kryetarët e zgjedhur për të hyrë në objektet komunale./KosovaPress

Image

Kamionë e gurë te ndërtesa e Komunës së Leposaviqit

Dy kamionë janë vendosur tek ndërtesa e Komunës së Leposaviqit. Njëri nga ta ka qenë i ngarkuar me gurë, të cilët janë zbrazur tek ndërtesa e Komunës.

Përreth ndërtesës janë grumbulluar dhjetëra qytetarë serbë dhe po ftohen edhe të tjerë që t’u bashkohen. Ndërkohë që aty janë duke qëndruar edhe tri vetura të KFOR-it dhe dy autoblinda të Policisë së Kosovës.

Pjesëtarët e Policisë janë duke qëndruar në autoblinda.

Derisa të gjithë këto po zhvillohen është duke rënë shi shumë i madh. (Marigona Brahimi)

Lëshohet alarmi në veri

Sirena të alarmit janë lëshuar në katër komunat në veri të Kosovës.

Sipas burimeve të KOHËS qytetarë serbë janë mbledhur para ndërtesave komunale në Zubin-Potok, Leposaviq e Zveçan, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në ndërtesa.

Kryetari i Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, Nexhat Ugljanin, ka thënë se sirenat e alarmit “janë lëshuar nga strukturat paralele”, ndërsa si shkak për to ka thënë se “mund të jetë mitingu që do ta mbajë Aleksandër Vuçiqi në Serbi”.

Ugljanin i tha KOHËS se në komunat tjera, Zubin-Potok, Zveçan e Leposaviq, janë tubuar njerëz.

Ndërkohë, në Leposaviq janë vendosur dy kamionë para Komunës.

KOHA ka provuar disa herë të kontaktojë zyrtarë nga Policia e Kosovës në rajonin e Mitrovicës por ata nuk janë përgjigjur.

Kryetarët e rinj të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – që të gjithë shqiptarë – bënë betimin më 25 maj, duke marrë kështu pushtetin lokal në këto tri komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës. Në Mitrovicë të Veriut ekziston një ndërtesë komunale që funksionon sipas sistemit të Kosovës. Kryetari i ri, Erden Atiq, u betua atje më 19 maj. Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.