Kryeministri Hristijan Mickoski nuk pret ndryshime të mëdha në çmimin e rrymës për qytetarët nga janari. Ai thotë se Qeveria do të vazhdojë ta subvencionojë çmimin që të mos ketë goditje për familjet. Ai përsëriti se, nëse amvisëritë do të kalonin në tregun e lirë, do të paguanin rrymë 50% më të shtrenjtë, por theksoi se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
“Tani do të shohim. Rregullatori në fund të këtij viti do të marrë vendim nëse do të ketë rritje, dhe nëse po, sa do të jetë ajo. Nuk pres ndonjë devijim të madh nga çmimi aktual. Nëse do të jetë 0, 1, 2, 3 për qind, apo pak më shumë apo më pak – këtë do ta vendosë Rregullatori”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Ndërkohë, EMV ka marrë një kredi të re prej rreth 60 milionë eurosh nga tre banka vendore. Gjatë një viti, kjo është kredia e tretë. Më herët u mor një hua prej rreth 110 milionë eurosh. Kryeministri mbetet optimist dhe pret që nga viti 2027 EMV të stabilizohet financiarisht.
“Po zvogëlohet importi i qymyrit, ndërsa duhet të rritet prodhimi i qymyrit vendas – po përgatiten projekte të reja minerare. Nga ana tjetër, është grumbulluar energji e mjaftueshme në hidrocentrale, sepse aty çmimi i prodhimit është më i ulëti – rreth 20 euro për megavat orë. Presim që ky trend të vazhdojë edhe në vitin 2026 dhe 2027, që në vitin 2027 praktikisht të balancohet çmimi i kostos së prodhimit me çmimin që EMV e shet në treg”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër.
Këtë javë, Komisioni Rregullator për Energjetikë do të marrë vendim për çmimin e transmetimit, distribuimit dhe operatorit të tregut, për të cilët thonë se nuk do të rriten. Por, në çmimin përfundimtar do të ndikojë më së shumti fakti që EMV në tenderin për furnizuesin universal “EVN Home” ka ofruar çmim prej 65 eurosh për megavat orë – rreth 5% më i lartë se tenderi paraprak. Përllogaritjen përfundimtare, se si do të shpërndahet kjo në bllok-tarifat, do ta bëjë EVN Home dhe do t’ia dorëzojë Rregullatorit. Çmimi i ri i rrymës do të vlejë nga janari dhe do të shpallet nga Komisioni Rregullator.



