Plusinfo: Vetëm revizioni i lëndës për “Koçanin” e shpëton këtë proces nga dështimi

Një vit pas tragjedisë në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë u plagosën, opinioni publik kërkon një proces të qartë dhe të qëndrueshëm. Por, në vend që gjykimi të sjellë ndjesinë se gjërat po shkojnë drejt një zgjidhjeje, po shtohen paralajmërimet se procesi gjyqësor mund të hyjë në një labirint juridik nëse aktakuza nuk rishqyrtohet me kohë. Ekspertët juridik kritikojnë se rasti është ndërtuar shumë gjerësisht, me lidhje të paqarta shkak-pasojë për një pjesë të të akuzuarve dhe me rrezik për një procedurë të gjatë dhe të pasigurt.

Çfarë shkruan Magleshov në analizën e tij për Prizma?

Paralajmërimi më i fundit i fortë erdhi më 22 mars, kur gazetari i Prizma-s, Vasko Magleshov, theksoi se në të njëjtin rast faktikisht shfaqen dy teori të ndryshme juridike brenda një prokurorie të vetme. Sipas analizës së tij, prokuroritë themelore nisen nga premisa se të gjithë personat e përfshirë mund të mbajnë përgjegjësi për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, ndërsa Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për një pjesë të zyrtarëve policorë zbaton një qasje tjetër, duke bërë dallim mes veprave të rënda dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Magleshov paralajmëron se pikërisht kjo mospërputhje kërkon rishikim që tani, në mënyrë që rasti të mos rrëzohet më vonë në Apel dhe të nisë nga e para.

Hapat zyrtarë të prokurorisë e kanë thelluar më tej këtë dilemë. Në një njoftim të 30 janarit, kjo Prokurori bëri të ditur se pas hetimeve ndaj 27 zyrtarëve policorë, është ngritur aktakuzë kundër 13 personave për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, janë paraqitur propozime akuzuese ndaj 12 të tjerëve për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe futje të të dhënave të pasakta, ndërsa për shtatë persona hetimi është ndërprerë, pasi kompetencat e tyre nuk kanë qenë në lidhje të drejtpërdrejtë shkak-pasojë me shpërthimin e zjarrit, dhe për disa veprime është konstatuar edhe vjetërsimi.

Pikërisht kjo, sipas kritikëve të aktakuzës, hap një pyetje thelbësore: nëse për disa vlen standardi i lidhjes së drejtpërdrejtë me pasojën, a duhet i njëjti standard të zbatohet edhe për një pjesë të të akuzuarve në lëndën kryesore?

“Dëm kolateral” i ndryshimeve në Kodin Penal?

Darko Avramovski nga Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë” këto ditë vlerësoi se rasti i Koçanit është një “dëm kolateral” i ndryshimeve në Kodin Penal. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai shpjegon se procesi me 35 persona të akuzuar dhe tri kompani është pasojë e këtyre ndryshimeve ligjore, pasi për një pjesë të të akuzuarve veprat për të cilat mund të mbaheshin përgjegjës tashmë janë vjetërsuar.

Pikërisht për këto arsye, sipas tij, procesi është tepër i madh dhe i konceptuar dobët që në fillim, gjë që ndikon si në drejtësinë, ashtu edhe në dinamikën e gjykimit.

Plusinfo, në disa tekste të publikuara gjatë javëve të fundit, ka vërejtur se të njëjtin shqetësim e ndajnë edhe shumë avokatë, profesorë dhe komentatorë juridikë.

Kritikat e Janaki Mitrovskit, Vladimir Tufegxhiçit dhe Gordan Kalajxhievit

Në një analizë të publikuar më 3 mars, u përcollën disa qëndrime se aktakuza duhet të bazohet në përgjegjësi individuale, dhe jo në një përgjegjësi “zinxhirore” apo kolektive të shtrirë. Në të njëjtin tekst përmenden kritikat e Janaki Mitrovskit, Vladimir Tufegxhiçit dhe Gordan Kalajxhievit, të cilët nga këndvështrime të ndryshme paralajmërojnë se një aktakuzë e tillë mund të jetë e vështirë për t’u provuar, të krijojë debat për konstruksionin juridik në vend të fakteve dhe, në fund, të zhgënjejë familjet që presin drejtësi.

Sipas avokatit Janaki Mitrovski, për bashkëkryerje “duhet të ekzistojë veprim i përbashkët dhe një kontribut i veçantë individual i secilit të akuzuar”, gjë që, sipas tij, “praktikisht është e pamundur të provohet” me një aktakuzë të tillë.

Të njëjtën dobësi e thekson edhe avokati Tufegxhiç, i cili sipas raportimeve mediatike ka paraqitur edhe kërkesë për rishqyrtim dhe mbikëqyrje të ligjshmërisë së aktakuzës pranë instancave kompetente të prokurorisë, duke u thirrur në Ligjin për Prokurorinë Publike. Sipas tij, pjesa për “përgjegjësi zinxhirore” është problematike, pasi për veprat e rënda kundër sigurisë së përgjithshme kërkohet lidhje e drejtpërdrejtë shkak-pasojë ndërmjet mosveprimit dhe pasojës.

Profesori Gordan Kalajxhiev paralajmëroi se një aktakuzë e tillë “nuk duhet të kalojë”, pasi do të kushtojë shumë dhe kjo “është shkatërruese për shumë familje”, duke theksuar rrezikun që një aktakuzë e dobët ose tepër e gjerë mund të prodhojë zhgënjim shtesë-pikërisht te ata që presin më shumë drejtësi.

Kontradiktat e theksuara nga Petre Shilegov

Në të njëjtën linjë janë edhe paraqitjet e avokatit Petre Shilegov, të cilin Plusinfo e citoi më 2 shkurt dhe 9 mars. Ai kërkoi që Prokuroria të rishqyrtojë përsëri bazën për ndjekjen e një pjese të të akuzuarve, duke vlerësuar se mesazhet që vijnë nga vetë prokuroria krijojnë kundërthënie-kontradikta lidhur me të njëjtin rast dhe të njëjtat rrethana.

Gjykata, sipas të njëjtit medium, është përgjigjur se nuk mund ta ndërpresë procedurën pa një qëndrim zyrtar nga prokuroria kompetente, ndërsa prokurori ka theksuar se vendimet e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ende nuk janë përfundimtare në kuadër të këtij rasti. Kjo në praktikë do të thotë se dilema mbetet e hapur, por koha për korrigjim ende nuk është humbur.

Qëndrimi zyrtar i Prokurorisë, deri para zgjedhjes së prokurorit të ri, mbetet se tragjedia është rezultat i lëshimeve gjatë një periudhe më të gjatë kohore dhe i veprimeve konkrete të disa personave përgjegjës, për çka edhe është ndërtuar një rast i gjerë.

Si do të veprojë kryeprokurori i ri, Nenad Saveski?

Këtu përplasen dy linja: dëshira e prokurorisë për të përfshirë tërë sistemin e lëshimeve, dhe paralajmërimet nga një pjesë e ekspertëve se një aktakuzë tepër e gjerë dhe juridikisht e paekuilibruar mund të ngadalësojë, dobësojë ose madje të rrëzojë procesin në instancat më të larta. Për këtë arsye, mesazhi që po dëgjohet gjithnjë e më shpesh është i qartë: rishqyrtim i aktakuzës jo për të shpëtuar dikë nga përgjegjësia, por për të shpëtuar vetë procesin dhe për të dhënë një shans që drejtësia të arrijë më shpejt, më qartë dhe në mënyrë më të qëndrueshme deri në fund.

Kryeprokurori Nenad Saveski, si gjyqtar në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, disa javë para se të zgjidhej, gjatë një paraqitjeje në Televizionin 24 për rastin e diskotekës “Puls” në Koçan, tha se do të dëshironte të shihte se si erdhën deri te veprat penale që u kualifikuan kundër të akuzuarve.

“Sigurisht, do të kisha një takim të drejtpërdrejtë me prokurorët që kanë punuar gjatë hetimit, dhe tani si përfaqësues të aktakuzës të marr një pasqyrë të qartë se si doli ky kualifikim juridik,” tha Saveski gjatë paraqitjes në televizion më 24 shkurt të këtij viti.