“PlusInfo”: Kurthi vdekjeprurës ishte krijuar me ndërhyrje ndërtimore të kryera para aksidentit

Seanca e djeshme për tragjedinë në diskotekën “Pulse” në Koçan solli detaje tronditëse, por juridikisht jashtëzakonisht të rëndësishme, që hedhin dyshime serioze mbi qëndrueshmërinë e ndërtimit të akuzës nga Prokuroria, shkruan PlusInfo. Ndërsa aktakuza përpiqet të krijojë një lidhje shkak-pasojë që shtrihet mbi një dekadë më parë, dëshmitarët e gjallë, ata që e përjetuan tmerrin, përshkruan një situatë faktike që ka pothuajse zero lidhje me procedurat administrative të së kaluarës.

Dëshmitë e Ivan Danaillov dhe Kristian Panov jo vetëm dhanë detaje për natën e kobshme, por, ndoshta pa e kuptuar, zbuluan dobësinë kryesore të aktakuzës: Po gjykohet për dokumente 10-12 vjet të vjetra, ndërsa njerëzit vdiqën në një objekt që ishte fizikisht i ndryshuar, rinovuar dhe i menaxhuar sipas rregullave të reja, në vitin 2025.

Tëresat nuk janë më, skena është ndryshuar

Goditja më e fortë ndaj tezës se lejet administrative të së kaluarës janë fajtorët u dha nga dëshmitari Ivan Danaillov, 25 vjeç. Para gjykatës, ai tha qartë se interieri i diskotekës nuk ishte aspak i njëjtë si vitet kur u lëshuan dokumentet fillestare.

Sipas dëshmisë së tij, “brendësia e diskotekës ishte rinovuar gjatë vitit të fundit”, duke u referuar ndoshta në vitin 2024. Danaillov saktësoi se “tëresat mbi bar ishin hequr, ndërsa skena ishte ndryshuar plotësisht”. Ky detaj ka rëndësi kyçe. Nëse hapësira është rindërtuar fizikisht, nëse rrugët për lëvizje janë ndryshuar dhe konfigurimi është i ndryshëm nga planet origjinale, atëherë çdo leje ose autorizim i lëshuar para vitit 2024 bëhet i parëndësishëm për sigurinë faktike në momentin e zjarrit. Prokuroria përpiqet të dëshmojë “mangësi sistemike” nga e kaluara, por dëshmitarët konfirmojnë se kurthi vdekjeprurës u krijua nga ndërhyrjet ndërtimore të bëra ]pak para tragjedisë, që ndoshta janë bërë pa leje dhe aprovime nga institucionet përgjegjëse.

“Njerëz mbi njerëz”/Kapaciteti si vendim menaxherial, jo shifër administrative

Aspekti i dytë që sfidon aktakuzën është çështja embingarkesës. Dëshmitari Kristian Panov përshkroi kaosin duke thënë: “Të gjithë filluan të vrapojnë, njerëz mbi njerëz, më shumë të bllokuar mes dy dyerve”.

Kjo lidhet me dëshminë e Danaillov, i cili konfirmoi se atë natë klubi ishte kaq i mbushur sa “tryezat ishin vendosur edhe në mes të hapësirës, duke vështirësuar lëvizjen”. Kjo tregon se pamundësia për evakuim nuk ishte rezultat i ndonjë nënshkrimi në një letër një dekadë më parë, por vendimi aktual i menaxhmentit për të mbushur hapësirën me tryeza dhe mysafirë shumë mbi limitin e sigurisë. Asnjë leje administrative, sa e vjetër qoftë, nuk jep të drejtën për të bllokuar rrugët e evakuimit me mobilje.

Piroteknika si “traditë” dhe hyrja për të miturit

Prokuroria insiston në përgjegjësi administrative, por dëshmitë zbuluan neglizhencë operative të menaxhmentit të diskotekës që ishte bërë standard. Danaillov, i cili tha se kishte hyrë për herë të parë në klub në moshën 16 vjeç, dëshmoi se “edhe atëherë, ashtu si natën e tragjedisë, hapësira ishte e mbushur me të mitur”. Ai shtoi se edhe pse kishte roje sigurie, atë mbrëmje “askush nuk kërkoi dokument identiteti”.

Gjithashtu, u konfirmua se përdorimi i piroteknikës nuk ishte incident i izoluar, por praktikë e rregullt, veçanërisht me bendet që shpesh performonin. Kjo shihet edhe në media, në fotografi, para fillimit të procesit gjyqësor.

Për t’u shqetësuar, disa dëshmitarë gjatë procedurës potencuan se në momentet kritike brenda objektit nuk panë aparate zjarrfikëse. Kjo gjendje faktike është diametralisht e kundërt me pamjen administrative të vitit 2012, kur gjatë lëshimit të lejes njëvjeçare të parë, raportet dhe inspektimet e Inspektoratit Shtetëror të Tregut ishin pozitive dhe dokumentacioni i plotë, duke çuar logjikisht në përfundimin se atëherë mbrojtja kundër zjarrit ishte siguruar rregullisht.

Prokuroria kërkon në arkiva, por e vërteta është në “muret e rinovuara”

Duke përmbledhur dëshmitë e djeshme, bëhet e qartë se Prokuroria përballet me një problem serioz në provimin e lidhjes shkak-pasojë. Si mund të kërkohet përgjegjësi nga persona që vepruan administrativisht shumë vite më parë, para 10, 12, 14 vjetësh, kur objekti ndërkohë kishte pësuar: ndryshime ndërtimore (heqje të tëresave, ndryshim të skenës), ndryshim të përdorimit të hapësirës (tryeza vendosur në rrugët e evakuimit) dhe rritje ekstreme të numrit të mysafirëve shumë mbi kapacitetin e projektuar.

Dëshmitarët Danailov dhe Panov, përmes përvojave të tyre traumatike, shfaqën qartë një objekt që në vitin 2025 funksiononte sipas rregullave të veta, në një ambient të rinovuar të panjohur për institucionet e së kaluarës. Aktakuza, e cila përpiqet të “shtrijë” fajin mbrapa në kohë, duket se dështon ndaj testit të realitetit – sepse zjarri nuk shpërtheu në “objektin arkivor” që në fakt nuk është më i njëjti objekt nga viti 2012, por në “Pulse”-in e rinovuar dhe të mbushur me njerëz të vitit 2025.