Plenkoviq: Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nuk kërcënojnë integritetin territorial të askujt

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka sqaruar se retorika e përsëritur e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, sipas së cilës aleanca ushtarake midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës synon Serbinë, është e pasaktë dhe e sajuar për qëllime politike të brendshme.

Në një konferencë për shtyp të shtunën, Plenkoviqi u shpreh se as Kroacisë, as Shqipërisë e as Kosovës nuk i shkon mendja për ta kërcënuar integritetin territorial të askujt.

“Lloji i bashkëpunimit teknik që ekziston midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nuk është i drejtuar kundër Serbisë. Një tezë plotësisht e sajuar që duhet të mbështesë narrativën e një kërcënimi të jashtëm në nivelin politik të brendshëm. Kroacia është anëtare e BE-së dhe NATO-s. Nuk na shkon ndërmend neve, as Shqipërisë apo Kosovës, të kërcënojmë integritetin territorial të askujt”, ka thënë Petkoviq, transmeton “Jutarnji”.

Plenkoviqi komentoi edhe akuzat e tjera të Vuçiqit, sipas të cilave, Kroacia qëndron prapa protestave të studentëve dhe do destabilizimin e Serbisë. Kryeministri kroat mori shembull furnizimin e Serbisë me naftë përmes tubacionit JANAF, duke theksuar se ky veprim tregon qartë se Kroacia vepron në mënyrë normale dhe të përgjegjshme, pa fshehur motive kundër Serbisë.

“Kroacia i ka zgjidhur të gjitha detyrat e saj kombëtare dhe koha e luftës ka kaluar. Ne nuk veprojmë për të kërcënuar askënd, por për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, përfundoi ai.

Në mars të vitit të kaluar, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan një deklaratë bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Në dokument thuhet se tri shtetet do të bashkëpunojnë për rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore. Si rezultat, sivjet pritet të mbahet një ushtrim i përbashkët i të tria vendeve.

Së fundmi, Serbia arsyetoi blerjen e raketave supersonike kineze CM-400 për shkak të kërcënimit nga kjo aleancë. Plenkoviqi gjatë ditës së djeshme u shpreh se këso raketa nuk janë parë në Evropë deri tash.