Plejada diplomatike amerikane që thyen skenarët ruso-serbë! / Ashpërsohet lufta kundër krimit!

Shkruan: IDRIZ MORINA

SHBA-të pas një mungese të gjatë të ambasadorit të saj në Kosovë, për shkaqe procedurale, nga sot e filloi misionin Jeffrey Hovenier.

Është nga të paktët ambasador amerikan, që ka marrë vëmendje të madhe, që para ardhjes së tij.

Ambasadori Hovenier, që para ardhjes së tij është zotuar para Senatit amerikan, se do të kryejë misionin e tij, sipas parimeve të përcaktuara nga presidenti amerikan Joe Biden për Kosovën dhe dialogun me Serbinë.

Njohja e krimeve serbe në Kosovë dhe rajon

Ajo që ka zgjuar interesim edhe tek analistët në rajon është fakti, se presidenca Biden ka dërguar ambasador në rajon një rrjet diplomatësh, të cilën e njohin shkëlqyeshëm Serbinë, angazhimin e saj për spastrime etnike, për gjenocidin e kryer në Kosovë dhe rajon, për vrasjet masive, dëbimet masive, krimet kundërnjerëzimit dhe diplomacinë e saj, që mbështetet në mashtrime dhe gënjeshtra.

Më saktë, në Ballkan tashmë do të jetë plejada diplomatike, që e thyen Serbinë dhe që arritën t’ia nxjerrin lakuriq, imazhin e saj, antihuman!

Në krye të potencialit nga përvoja llogaritet Kristofer Hill, ish mik i presidentit Rugova, ish ambasador në Shqipëri, Maqedoni etj., i deleguar i Uashingtonit në shumë procese, dhe me rol të jashtëzakonshëm në bisedimet për Kosovën në vitet 1998-1999.

Dhe që e njeh mirë mentalitetin serb, dhe që besohet se din si ta thyejë Beogradin. Ndërsa, dy ambasadorët tjerë Xhefri Hovenier dhe Majkl Marfi, i pari në Prishtinë dhe i dyti në Sarajevë kanë miqësi me shqiptarët, por njohje specifike për shkak të angazhimit në shtetbërjen e Kosovës ose në mision diplomatik.

Gabriel Eskobar, Kristofer Hill, Mattheë Palmer, Xhefri Hovenier, Majkl Marfi dhe Xhems O’Brajeni, disa prej tyre ambasadorë, disa të dërguar special të DSh-së, paraqesin një simbolikë që mund të përballojë skenarët rusë dhe serb në rajon, dhe në Kosovë në veçanti.

Plejada plotësohet apo më saktë nuk do të kishte kuptim, pa presidentin Joe Biden, i cili është një nga miqtë e rrallë dhe më të jashtëzakonshëm amerikan.

Edhe Majk Marfi ambasadori i ri amerikan në Bosnje e Hercegovinë ka relacione dhe njohje të shkëlqyeshme të Kosovës, pasi ka shërbyer në ambasadën amerikane, si këshilltar 2006-2009, dhe pastaj si zëvendës ndihmës në ambasadë deri në 2012, aktualisht është zëvendës Ndihmës i Sekretarit amerikan të Shtetit.

Në Kosovë ambasadori Hovenier, i cili ishte i përfshirë në përpjekjet ta mbrojtur popullin e Kosovës nga zhdukja – në Rambuje, që po i kërcënohej nga Serbia, po ashtu si pjesëmarrës i ekipit udhëheqës të negociatave Kosovë-Serbi në Vjenë, të drejtuara nga i dërguari i Kombeve të Bashkuara, presidenti finlandez, Martti Ahtisaari. Pra, një diplomat që dinë se si dhe nga kush u mbrojt Kosova dhe shqiptarët, nga rreziku kriminal serb, nga më vrastarët dhe më të pamëshirshmit në historinë e njerëzimit.

Ai e dinë se si u arrit pavarësia e Kosovës, çfarë lëshime iu desh t’i bënin shqiptarët serbëve, dhe se sa jo parimor dhe të papërshtatshëm ishin serbët gjatë tyre.

Pra, ai e din se sa e mundimshme dhe e rrezikshme ishte rruga e Kosovës deri në pavarësi.

Dhe nëse kjo u arrit suksesshëm falë edhe mbështetjes amerikane, atëherë kush mund të dyshojë, se Kosova nuk po e kontrollon shtetin e saj, pavarësinë e saj!?

Nëse Kosova se kontrollon dot shtetin, atëherë ajo, atëherë nuk e kontrollon dot Pavarësinë e saj, sovranitetin e saj!

Për ata që besojnë kështu, vetë ambasadori amerikan është përgjigjur, para Senatit, se “Kosova e kontrollon në tërësi shtetin e saj”. Pra, Kosova nuk ka ndarje në veri apo jug, është një dhe e tërë, ata që duan ta ndajnë mund të jenë në interes të Serbisë, por jo edhe të shqiptarëve, e pra as në interes të miqve amerikanë.

“Autoritetet në Kosovë qeverisin gjithë shtetin”.

Hovenier është zotuar se si ‘ambasador i SHBA-ve në Kosovë do ta ketë prioritet vazhdimin e mbështetjes amerikane për një Kosovë sovrane e demokratike’.

Bisedimet

Ambasadori Hovenier, ka premtuar po ashtu se ai do të ofrojë gjithë potencialin, në mënyrë që epiqendra e dialogut të jetë “njohja reciproke”, ashtu siç e ka përcaktuar presidenti Biden.

Duke mos lënë më zbrazëtira në rrugëtimin e fundit të Kosovës në shtet ndërtim, që mendohet të përmbyllet me anëtarësim në OKB.

Për fat, në dy vitet e ardhshme Shqipëria për herë ta parë ka rritur të bëhet anëtare e e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe do të jetë të paktën njëherë kryesuese e Këshillit 15 anëtarësh.

Por, ajo që bie në sy në zotimin e ambasadorit për dialogun, ai përveç kuptohet konstruktivitetit, procesin e sheh edhe si urgjentë. “Unë do ta inkurajoj Kosovën që të angazhohet … dhe me urgjencë”, ka deklaruar ai para senatorëve amerikanë, në pritje të konfirmimit të ambasador.

Brenda Kushtetutës së Kosovës

Kur është pyetur se çfarë mendon për qasjen e Serbisë ndaj komunitetit serb, diplomati amerikan ka thënë se ajo nuk mund të ndodhë jashtë Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve të saja. “Ne e pranojmë se Serbia dëshiron të mbështesë komunitetin serb në Kosovë, kjo është e arsyeshme. Mirëpo, kjo gjë duhet bërë brenda kornizës kushtetuese dhe sipas ligjeve të Kosovës”.

Ai e ka të qartë se pala serbe në dialog, nuk ka qenë ‘gjithmonë në atë linjë gjatë procesit’.

Dhe premtimi i ri i tij kyç, krijimi i momentit, situatës së re për t’i dhënë fund dialogut. “…do të punojë për të krijuar një momentum të ri”.

Tani ambasadori amerikan është këtu, dhe ne po e mirëpresim mundësinë për një situatë të re, në Ballkanin, që po e përjeton një trazim të ri.

Një nga premtimet e tij është thyerja e ‘akullit’ – ajzbergut, të vendosur nga pesëshja e BE-së, që e ka penguar dhe po vazhdon ta pengojë integrimin e Kosovës në shumë procese, përfshirë dhe faktin se janë pengesë edhe për liberalizim të vizave, edhe pse nuk janë vendimtare dhe të vetmet.

Kosova ende nuk njihet nga Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qiproja.

Ligji dhe rendi, luftimi i krimit dhe korrupsionit

Ambasadori amerikan po ashtu e bëri të qartë se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të vazhdojë, dhe duke qenë si bartës i objektivave të presidentit Biden, pritet të ketë intensifikim të hetimeve, bastisjeve dhe arrestimeve në gjithë Kosovën.

Urdhri ekzekutiv i presidentit Bajden pos tjerash thekson se korrupsioni qeveritar në Ballkanin Perëndimor, ka krijuar pengesa për qeverisje efektive demokratike, dhe për integrim të plotë në institucionet transatlantike, “të cilat përbëjnë një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së”.

Kjo është parë edhe me shpalljen e personave në listën e zezë nga grupi kriminal ndërkombëtar serb me seli në veri për shkak se paraqesin rrezik për destabilitet, dhe me listën e sanksionet në Bosnje Hercegovinë ndaj Millodar Dodikut dhe të tjerëve, për të penguar ndarjen e këtij shteti në rajon.

Me ardhjen e tij, pritet së shpejti të shpallet edhe një pjesë e emrave të personave publik, me ndikim, që do të jenë në listën e zezë të SHBA-ve!

Ndërsa ambasadori Hovenier e ka nisur fjalën e tij në gjuhën shqipe: “Unë jam shumë i gëzuar me qenë këtu në Kosovë… jam krenar dhe i përulur, i ngazëllyer, prej mundësisë që të marr pjesë në këtë proces të punojmë bashkë si përfaqësues i presidentit Biden këtu. ShBA janë partnere e qëndrueshme e Kosovës. Do të punojmë me ju, qeverinë, popullin për të avancuar prioritetet tona”, tha ambasadori amerikan, duke sjellë shpresë të re për Kosovën.