Plani i tretë pesëvjeçar i Makaos hap një kapitull të ri në praktikën e politikës “Një vend, dy sisteme”

Qeveria e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Makaos ka publikuar Planin e Tretë Pesëvjeçar për Zhvillimin Ekonomik dhe Shoqëror të Makaos (2026–2030). I hartuar në përputhje me kushtet konkrete të Makaos dhe i lidhur me strategjitë kombëtare të zhvillimit, plani përcakton katër përparësi kryesore: përmirësimin e qeverisjes, transformimin industrial, zgjerimin e hapjes dhe politikat sociale me njerëzit në qendër. Ai paraqet vizionin për një “Makao të sunduar nga ligji”, “Makao dinamike”, “Makao kulturore” dhe “Makao të lumtur”, duke shënuar një fazë të re të zhvillimit me cilësi të lartë në kuadrin e politikës “Një vend, dy sisteme”.

Hartimi i planit i ka kushtuar rëndësi të veçantë pjesëmarrjes së gjerë të publikut. Gjatë një konsultimi publik 40-ditor u morën 1 716 opinione me 8 230 sugjerime, çka pasqyron pjesëmarrje të gjerë. I përqendruar në mirëqenien e banorëve, plani synon të përmirësojë shërbimet publike në fusha si rinovimi urban, përmirësimi i lagjeve të vjetra, arsimi, shëndetësia, kujdesi për të moshuarit dhe sigurimet shoqërore, duke rritur ndjenjën e përfitimit, lumturisë dhe sigurisë së banorëve të Makaos.

Foto nga VCG

Sipas planit të ri pesëvjeçar, Makao do të integrohet më tej në zhvillimin e përgjithshëm të vendit dhe do të kontribuojë më shumë në të. Plani synon të shfrytëzojë epërsitë e veçanta gjeografike dhe institucionale të Makaos si platformë shërbimi për bashkëpunimin mes Kinës dhe vendeve portugalisht folëse. Duke u mbështetur te trashëgimia e pasur kulturore, ku ndërthuren traditat lindore dhe perëndimore, si edhe te dy motorët kryesorë strategjikë kombëtarë — Zona e Madhe e Gjirit Guangdong – Hong-Kong – Makao dhe Zona e Bashkëpunimit të Thellë Guangdong – Makao në Hengqin — Makao synon të rrisë në mënyrë të qëndrueshme nivelin e hapjes ndaj botës. Objektivi i përgjithshëm është që Makao të shndërrohet në një nyjë të rëndësishme strategjike për hapjen e Kinës në nivel të lartë dhe në një dritare të rëndësishme për shkëmbimin dhe mësimin e ndërsjellë mes qytetërimeve, duke kontribuuar njëkohësisht në ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë”.

Foto nga VCG

Një sondazh i zhvilluar nga CGTN-i me 1 551 veta në Makao tregon që 93 % e pjesëmarrësve mendojnë se, që nga integrimi i Makaos në Zonën e Madhe të Gjirit Guangdong – Hong-Kong – Makao, është rritur numri i turistëve, janë lehtësuar shkëmbimet njerëzore dhe janë shtuar flukset e investimeve. Ndërkohë, 92.5 % e të anketuarve vlerësuan si epërsi unike të Makaos mbështetjen e fuqishme nga pjesa kontinentale e Kinës dhe rolin e saj si portë drejt botës. Gjithashtu, 92.2 % e cilësuan praktikën e politikës “Një vend, dy sisteme” në Makao si një shembull të suksesshëm.

Foto nga VCG

Plani i tretë pesëvjeçar i Makaos i shndërron objektivat e mëdha strategjike në momente historike konkrete. Më shumë se një dokument politikash, ai përfaqëson një të ardhme të prekshme për çdo banor të Makaos. Tashmë pritet që të gjithë sektorët e shoqërisë në Makao të bashkojnë forcat, të shfrytëzojnë mundësitë dhe t’i japin zbatimit të politikës “Një vend, dy sisteme” një vrull të ri me karakteristikat e veta.

(Autori është profesor Chen Guanghan, kryeekspert i Institutit të Studimeve të Zhvillimit të Guangdong-ut, Hong-Kongut dhe Makaos në Universitetin “Sun Yat-sen”)