Plagosja e trefishtë në Deçan, i dyshuari me histori kriminale të mëparshme

Tre persona mbetën të plagosur mbrëmë në një lokal në qendër të Deçanit.

Të plagosurit (një shqiptar dhe dy serb) u dërguan fillimisht për trajtim mjekësor në Spitalin e Pejës, ku dy prej tyre për shkak të lëndimeve të pësuara nga arma e zjarrit janë transferuar në QKUK.

Në mesin e personave të plagosur është avokati Daut Cacaj.

Reagimi i njësiteve policore ishte i shpejtë ku menjëherë arrestuan të dyshuarin lidhur me incidentin.

I dyshuari, Ismet Zukaj është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit kujdestar.

Telegrafi nga burime mëson se Zukaj është recidivist i veprave penale, dhe se i njëjti ishte dënuar edhe më parë me burgim për një vepër tjetër të plagosjes.

Lidhur me këtë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi tha se Prokurori i Shtetit do t’ia bashkangjes kërkesës për paraburgim të gjithë të kaluarën kriminale të të dyshuarit.

“Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, Prokurori i Shtetit do t’ia bashkangjes të gjithë të kaluarën kriminale personit të dyshuar, si rrethanë që do të paraqitet para gjyqtarit të procedurës paraprake kur do të marrë vendimin lidhur me kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit”, tha Nikçi.

Rasti ndodhi mbrëmë pas mesnate në një kafiteri në rrugën “Luan Haradinaj” në Deçan.

Nga hetuesit në vendin e ngjarjes është sekuestruar një armë pistoletë Zoraki 9mm, një karikator i së njëjtës armë, nëntë fishekë të kalibrit 9mm dhe tri gëzhoja.