Pishina e Shkupit “Boris Trajkovski” do të mbyllet për rikonstruksion të plotë

Pishina në kuadër të Qendrës Sportive (QS) “Boris Trajkovski” nuk do të funksionojë për dy vjet, pasi u mbyll pas stuhisë që përfshiu Shkupin më 21 korrik. Gjatë stuhisë u dëmtua dhe u shkëput çatia e pishinës, ndërsa pjesë të saj ranë brenda hapësirës së korsive të notit, ku në atë moment kishte vizitorë, pas së cilës u bë evakuim, transmeton Portalb.mk.

Drejtori i pishinës, Daniell Apostollovski, për SDK thotë se pishina nuk do të hapet derisa të rikonstruktohet tërësisht.

“Pishina edhe para stuhisë ishte në gjendje të keqe dhe kishte nevojë për sanim urgjent. Pas stuhisë u shkëput çatia dhe tani nuk do të bëjmë ndërhyrje vetëm në çati, por do të qëndrojë e mbyllur derisa të rinovohet tërësisht. Projekti është përfunduar dhe në periudhën e ardhshme do të shpallim tender për përzgjedhjen e kontraktuesit. Presim që punimet ndërtimore të fillojnë në nëntor. Do të rikonstruktohet nga themelet, nga dhoma e makinerive deri te çatia“, thotë Apostollovski.

Sipas dokumentacionit të projektit, rikonstruksioni duhet të zgjasë nga 12 deri në 18 muaj. Duke pasur parasysh se pishina u mbyll në korrik dhe se do të nevojiten disa muaj për zhvillimin e tenderit, përzgjedhjen e kompanisë dhe lidhjen e kontratës, pishina do të jetë e mbyllur për vizitorët për rreth dy vjet.

Kujtojmë se pishina u rinovua në vitin 2010.