Pioli tregon pse u zemërua Ibrahimovic pasi u zëvendësua

Zlatan Ibrahimovic nuk e priti mirë zëvendësimin në “San Paolo”, kur rezultati ishte 2-1 për Napolin.

Gjiganti suedez u fokusua nga kamerat duke u shfryrë në stol ku e shqelmoi një shishe uji. I zhgënjyer nga vendimi i Piolit, që guxoi ta hiqte duke i bërë vend Leaos, e ndoshta edhe nga paraqitja e tij.

Por faktet i japin të drejtë Piolit: pikërisht pas ndryshimeve të kryera nga tekniku, erdhi golit i barazimit, i shënuar me 11-metërsh nga Kessie.

“Është normale që të mërzitet, por nuk ndodhi për shkak të zëvendësimit. U mërzit sepse mund të bënim më mirë në disa situata. Edhe ai mund të bëjë më shumë. Në fund të ndeshjes ishte shumë i qetë, kërkon të na ndihmojë deri në fund, ashtu si të gjithë duan”, – deklaroi Pioli kur u pyet për reagimin e Ibras.

I pyetur për të ardhme, trajneri kuqezi sqaroi:

“Nuk e mendoj fare, është më mirë kështu, po drejtoj një klub të madh. Deri më 3 gusht do të ketë kohë për të vendosur, tani për tani synoj ta mbyll sezonin pa pengje. Nuk dua të shpenzoj energji për gjëra që nuk mund t’i kontrolloj.”