Stefano Pioli beson se ishte një lojë me dy pjesë, ndryshimi sipas tij është se ‘Interi shënoi dhe Milani jo’, por ata ende mund ta kthejnë rezultatin në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, veçanërisht me Rafael Leaon.
Kuqezinjtë patën një fillim makthi në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndaj rivalëve, pasi Edin Dzeko dhe Henrikh Mkhitaryan çuan Interin në epërsi 2-0 pas vetëm 11-të minutave.
Ismael Bennacer u detyrua ta lëshoj fushën shkaku i lëndimit, të dyja ekipet goditen nga një herë shtyllën me Hakan Calhanoglu dhe Sandro Tonali, ndërsa Interit iu anulua një penallti nga VAR-i.
“Ky është një term i ashpër”, ka thënë fillimisht Pioli për Amazon Prime Italia kur iu sugjerua se Milani dukej i panjohur.
“Fakti është se Interi luajti më mirë në pjesën e parë dhe shënoi dy gola, Milani luajti më mirë në pjesën e dytë dhe nuk shënoi. Ky është futbolli në këtë nivel. Interi kishte më shumë cilësi dhe ishte më efikas në pjesën e parë, ndërsa ne bëmë shumë gabime për këtë nivel”.
“Deri në minutën e shtatë, Interi nuk kishte hyrë asnjëherë në zonën tonë të penalltisë dhe më pas shënoi në këndoren e parë. Është e qartë se duhet të ishim më të përqendruar. Ne donim një rezultat ndryshe, por duhet të vazhdojmë të besojmë, sepse një incident mund të ndryshojë gjithçka në ndeshjen e dytë”.
Interi dukej më agresiv dhe më i vendosur direkt nga porta, gjë që ishte befasuese duke marrë parasysh se Milani ishte skuadra vendase me më shumë tifozë në San Siro.
“Ne synonim të ishim kompakt, intensiv dhe agresiv, por Interi kishte më të mirën në shumë situata 50-50 dhe kjo i ndihmoi ata të merrnin kontrollin e lojës. Ata gjithashtu bënë mirë që i konvertuan ato dy raste të hershme, gjë që na e bëri të vështirë në nivel taktik dhe mendor. Unë pashë një reagim të fortë dhe kjo është ajo që duhet të ndërtojmë për ndeshjen e ardhshme”.
Ndeshja e kthimit zhvillohet të martën në mbrëmje, por meqë rregulli i golave si mysafir nuk zbatohet më, çdo fitore me dy gola diferencë do të dërgoj lojën në vazhdime.
“Ne patëm shanset në pjesën e dytë, kështu që natyrisht në ndeshjen e dytë na duhet më shumë cilësi dhe një qëndrim më agresiv. Duhet të ngremë shiritin dhe të luajmë nga fillimi me diçka shumë më afër paraqitjes së pjesës së dytë”.