Pezullohet gjyqtarja pas videove skandaloze në ‘Tik Tok’

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani tha se pas publikimit të videove të gjyqtares Enkeleda Kapedani në “Tik Tok”, qëndrimi i saj në detyrë diskretiton rëndë figurën dhe pozitën e gjyqtarit, ndërsa Kapedani e cilësoi të pabazuar në ligj kërkesën për pezullimin e saj.

Gjyqtarja Enkeleda Kapedani dha shpjegime në përgjigje të një serie pyetjesh gjatë seancës plenare të zhvilluar në Këshillin e Lartë Gjyqësor, ku u shqyrtua kërkesa e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani për pezullimin nga detyra të kësaj magjistrateje deri në përfundimin e hetimit lidhur me disa video të publikuara në “Tik Tok”.

Hetimi disiplinor për Kapedanin, e cila mbante njëherazi postin e kryetares së Gjykatës së Elbasanit si e komanduar nisi më 31 maj, pas publikimit në rrjetin social “Tik Tok” të disa videove, ku ajo shfaqet ndër të tjera edhe duke bërë paradë në ambientet e gjykatës nën tingujt e këngës “Mafia” të Don Xhonit. Në video të tjera ajo shfaqet duke filmuar veten teska drejtonte makinën.

Në seancën përballë KLGJ-së, Kapedani u paraqit së bashku me përfaqësuesen e saj ligjore, avokaten Romina Zano.

Inspektori Artur Metani theksoi para Këshillit se nga provat e administruara ekzistojnë kushtet për pezullimin e Kapedanit, me argumentin se qëndrimi i saj në detyrë diskretiton rëndë figurën dhe pozitën e gjyqtarit. Ai vijoi se plotësohen paraprakisht kushtet për kërkesat ligjore për pezullimin nga detyra, pasi ka shkaqe të arsyeshme që bazohen në burime informacioni të besueshme.

Metani i kërkoi Këshillit pezullimin e Kapedanit deri në përfundimin e procedimit disiplinor.

Gjyqtarja Kapedani e quajti të vështirë situatën në të cilën gjendet.

“Kam pritur gjatë të dal para jush për vendimet e mia dhe jo të gjykohem për veshjen, pamjet dhe shijen time muzikore, që nuk kanë ndikuar në vendimet dhe punën time,” tha Kapedani me tone emocionale.

Kapedani solli në vëmendje se kishte përfunduar studimet me rezultate të larta si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë shtetit dhe se ishte renditur e dyta në Shkollën e Magjistraturës.

“Përmbush me përpikmëri të gjitha detyrat si gjyqtare dhe nënkryetare. Ndonjëherë ka ndodhur të bëj video në ambjentet e zyrës time për të hequr lodhjen, por jo për t’i publikuar ato,” deklaroi Kapedani dhe theksoi se kjo nuk ndikonte në ushtrimin e detyrës së saj.

Duke e cilësuar si një tmerr që e përndjek atë dhe familjarët, Kapedani shtroi disa pyetje që kishin të bënin me aspektin e saj profesional, konkretisht për mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore, vendimarrjet dhe administrimin e gjykatës në cilësinë e kryetares.

“Pyetja më e madhe është se kush ka mbetur i pakënaqur nga ky menaxhim? Mos bota e krimit që nuk arriti të ndërhynte? Të tilla reagime nuk ka pasur kur gjyqtarët janë ndaluar për vepër penale dhe për korrupsion,” tha Kapedani, ndërsa u kërkoi anëtarëve të KLGJ-së që të mos lejonin që ethet e klikimeve dhe bota e krimit të fitonin.

Metani e pyeti Kapedanin se përse mendonte se KLGJ mund të ishte nën presionin e krimit të organizuar lidhur me procedimin e nisur nga ILD. Gjyqtarja Kapedani tha se konstatimi kishte të bënte me atë vetë dhe jo me KLGj-në. Ajo sqaroi se kishte pasur ndërhyrje nga persona të tretë lidhur me shpërndarjen e çështjeve, por se asnjëherë nuk ishte ndikuar.

Edhe avokatja Romina Zano e konsideroi të pabazuar kërkesën e Inspektorit Metani. Sipas saj, regjistrimi i videove jashtë orarit të punës nuk përbëjnë shkelje disiplinore që mund të sjellin pasojë shkarkimin. Ajo vërejti se edhe vetë ILD pretendon se shkeljet janë kryer jashtë ushtrimit të detyrës.

“Shkelje të rënda janë ato që janë të pajustifikuara për dispozitat urdhëruese që cënojnë të drejtat e palëve në gjykim. Nuk mund të përbëjë shkak kur nuk vërtetohet pasoja në dhënien e drejtësisë apo në cënimin e të drejtave të palëve,” pohoi Zano, ndërsa theksoi se Kapedani është nënë e dy fëmijëve të mitur dhe se paga si gjyqtare është e vetmja e ardhur për familjen e saj.

Në fund të fjalës së saj, avokatja Zano i kërkoi KLGJ-së të mos ndikohej nga trysnia e mediave, por ta merrte vendimin për kërkesën e ILD-së bazuar në ligj.

Në vijim Kapedani u pyet nga anëtarët e KLGJ-së lidhur me pamjet filmike të postuara në platformën sociale “Tik Tok”; deklarimet; veprimet dhe mosveprimet e saj.

Në përgjigje të pyetjeve, Kapedani u shpreh se ndihej e turpëruar me veten dhe me ata që e rrethonin, si dhe kërkoi ndjesë e premtoi se nuk do të përsëriste më regjistrimin e videove të ngjashme.

“Por nuk besoj se veprime të tilla mund të cënojnë punën time apo që të jap drejtësi. …jam e bindur se ata që më njohin i dinë cilësitë e mia,” tha ajo.

Kapedani theksoi se nuk ishte ajo që i kishte publikuar videot, ndërkohë që u shpreh se nuk e dinte nëse hetimi disiplinor ishte ose jo i plotë, pa verifikuar më parë se kush i kishte postuar videot dhe cili kishte fshirë nga rrjeti “Tik Tok” llogarinë “@kapedani333”.

Për të njëjtën pyetje, Inspektori Metani tha se për natyrën e shkeljeve hetimi ishte i mjaftueshëm.

Kapedani vijoi se mendonte se ndoshta i biri i mitur mund të kishte publikuar videot, ndërkohë që shtoi se e kishte çuar për servis dy herë telefonin dhe se aty mund t’i ishin marrë videot. Ajo theksoi se nuk kishte qenë ajo që e kishte mbyllur llogarinë në “Tik Tok”, ku u postuan videot.

Ajo u pyet edhe për mënyrën e realizimit të videove në zyrë si dhe për faktin se në pasqyrën e ashensorit të gjykatës dukej një person i seksit mashkull që po regjistronte një video, që më pas kishte vazhuar edhe në ambjentet e zyrës së kryetarit.

Kapedani tha se kishte kaluar shumë kohë dhe se nuk i kujtohej personi që kishte regjistruar videon. Sipas magjistrates, prezumimi shkonte në variantin se nuk i kishte hedhur ajo videot.

Ndërkohë, ajo pranoi se i kishte regjistruar vetë videot, përfshi dhe ato kur drejtonte makinën. Pyetjes nëse e konsideronte diçka të rrezikshme për veten dhe për të tjerët këtë veprim, Kapedani iu përgjigj se “do kishte preferuar të kishte qenë e rrezikshme se sa të gjendej në këtë process”.

Pyetjes nëse konsideronte se detyrë ishte edhe administrimi i gjykatës dhe arsyetimi i çështjeve jashtë sallës së gjyqit, Kapedani iu përgjigj se detyrën e konsideronte në përmbushje të shyqrtimit të çështjeve dhe vendimarrjeve.

Pasi u tërhoq, KLGj vendosi pezullimin nga detyra të Kapedanit deri në përfundim të procedimit disiplinor nga ana e ILD-së.