Pezullohen aktivitetet e Reuters-it në Irak, raportoi për mijëra të infektuar me COVID-19

Qeveria e Irakut ka vendosur të pezullojë për 3 muaj aktivitetet e Agjencisë së Lajmeve Reuters në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Autoriteti Irakian për Media dhe Komunikim, thuhet se është pezulluar licenca e punës për Reuters-in me kohëzgjatje prej 3 muajsh për shkak të lajmit me pretendimin se “mijëra persona në vend janë infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19).

Agjencia e lajmeve është gjobitur me rreth 20.000 dollarë.

Autoriteti irakian gjithashtu kërkon nga Reuters që t’i kërkojë falje popullit irakian për shkak të lajmit, për të cilin pohuan se mund të vë në rrezik sigurinë shoqërore.

Reuters kishte pretenduar se mijëra persona në Irak janë infektuar me COVID-19 dhe se autoritetet e vendit janë duke e fshehur këtë nga publiku.

Por, Ministria e Shëndetësisë së Irakut i ka përgënjeshtruar këto pretendime.