Petrovska: Zgjerimi i Aleancës së NATO-s është i mirëpritur

“Qëndrimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, si anëtari më i ri i Aleancës së NATO-s në lidhje me zgjerimin është i qartë dhe ai është se ne mbështesim politikën e dyerve të hapura të Aleancës. Kjo do të thotë se sa herë që një vend shpreh fillimisht vullnetin për t’u bërë anëtar i Aleancës, ne e pranojmë atë, por procesi i anëtarësimit të tij duhet ndjekur dhe në momentin që vendi plotëson kushtet për të qenë anëtar i Aleancës, është i mirëpritur”, kjo është përgjigja e ministres së Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska, lidhur me paralajmërimet për zgjerimin e NATO-s me shtetet e reja anëtare.

Petrovska vlerësoi se zgjerimi i NATO-s nuk duhet të shihet kërcënim për asnjë shtet, por duhet të shihet si garanci për stabilitet.

“Zgjerimi i Aleancës së NATO-s nuk duhet të jetë kërcënim për askënd, por përkundrazi mendoj se është një vlerë shtesë për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe në territorin e Aleancës së NATO-s, por edhe në botë, sepse NATO, është aleancë politiko-ushtarake, por mbi të gjitha ne e dimë se ajo bazohet në politikën e garantimit të sigurisë”, tha ministrja Petrovska në konferencën e sotme për shtyp në kazermën “Ilinden” të Shkupit, ku informoi për Planin për standarde të larta mjedisore në Mbrojtje, “Eko-Mbrojtja”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Petrovska informoi se në kuadër të aktiviteteve të planifikuara vjetore të NATO-s, ushtarët tanë marrin pjesë në stërvitje, dhe ajo që është vendosur vitin e kaluar është pjesëmarrja e pjesëtarëve të Armatës së Maqedonisë në kontingjentin në Letoni.

“Ata duhet të largohen në qershor dhe pjesëmarrja jo vetëm në këtë mision, por në përgjithësi në të gjitha misionet dhe stërvitjet në NATO, konsiderohet si përforcimi i kapaciteteve të veta kombëtare sepse është një mundësi vendimtare për bashkëpunim të pjesëtarëve të ushtrisë sonë me kolegët e ushtrive tjera”, tha ministrja Petrovska.