Petkoviq thotë se iu ndalua hyrja në Kosovë: Kurti po i shkel marrëveshjet

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, thotë se nuk është lejuar që të futet në Kosovë dhe është ndaluar në pikën kufitare në Konçul.

Ai e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti se po vazhdon t’i shkelë të gjitha marrëveshjet me Serbinë, veçanërisht atë për vizitat zyrtare.

Kryenegociatori i Serbisë në dialog thotë se për këtë rast e ka njoftuar të Dërguarin Special të BE-së për dialog Miroslav Lajçak, si edhe përfaqësuesit e BE-së, ShBA-së dhe Quintit.

“Më janë përgjigjur se kjo është shkelje e qartë e marrëveshjes, por edhe se bëhet fjalë për një lloj gabimi teknik, për këtë arsye nuk kam mundur të hyj sot në territorin e Kosovës dhe Metohisë. Është shumë e çuditshme se si është gjithmonë për ndonje gabim teknik kur bëhet fjalë për serbët dhe përfaqësuesit e Beogradit. Kam dërguar një njoftim të ri dhe nesër në të njëjtën orë do të jem këtu në Konçul për të parë nëse është gabim i ri teknik, apo arbitraritet i Albin Kurtit i cili dëshiron të prishë të gjitha marrëveshjet dhe të shembet normalizimi i marrëdhënieve me Beogradin”, tha Petkoviq, shkruan KosovoOnline, transmeton Klankosova.tv.

Petkoviq thotë se kjo është hera e shtatë radhazi që atij i ndalohet hyrja në Republikën e Kosovës, derisa insiston se vizita ishte paralajmëruar me rregull.

“Sot duhej të shkoja në Kushqen e Epërme, ku më prisnin njerëzit tanë për të festuar së bashku festën e Shën Pjetrit dhe për të hapur sheshin madhështor të ndërtuar nga Zyra për Kosovë e Metohi dhe pas kësaj të shkonim në Zveçan dhe Leposaviq që të takohemi me njerëzit tanë dhe bisedonim me ta për problemet e tyre dhe të përpiqeshim t’i zgjidhnim ato, si dhe të vizitonim disa familje në gjendje të rëndë sociale”, tha Petkoviq.