Petkov: Varemi prej energjisë ruse! Diskutuam edhe për sigurimin e ushqimit

Kryeministri bullgar, Kiril Petkov si nikoqir i takimit të sotëm të vendeve anëtare të NATO-s nga Evropa Juglindore tha se në mbledhjen e sotme është diskutuar për shumë tema të rëndësishme për rajonin pas agresionit rus në Ukrainë, përcjell TV21. Petkov thotë se fillimisht është diskutuar për energjinë.

“Kemi biseduar për koordinim në temën e energjetikës. Siç e dimë, rajoni ynë varet prej energjisë ruse. Diskutuam se si mund të kthejmë që disa prej përçuesve të gazit të marrin gaz nga Greqia dhe Turqia dhe ta shpërndajnë në Ballkan përmes përçuesve aktualë të gazit”, tha mes tjerash Petkov duke shtuar se në takim është theksuar edhe rëndësia e vendosjes në funksionim sa më të shpejtë të korridorit 8.

Petkov tha se në takim është diskutuar edhe për pajisjet ushtarake ndërkaq theksoi se vendet duhet të funksionojnë së bashku me strategji konkrete të logjistikës.

“Diskutuam për sistemet e shtrenjta ushtarake që është më mirë të koordinohen në nivel lokal dhe rajonal që investimet tona të funksionojnë së bashku, ky koordinim mund të jep sinergji shtesë në kapacitetet tona mbrojtëse”, tha Petkov duke shtuar se është diskutuar edhe për refugjatët nga Ukraina.

I pari i ekzekutivit bullgar tha se vendet duhet të komunikojnë për t’u siguruar që do të ketë ushqim për rajonin.

“Edhe ushqimi, sigurimi i ushqimit është temë me rëndësi. Qasja tek misri, vaji. Janë tema të rëndësishme. Ministrat tanë të Bujqësisë duhet të bisedojnë që ta dimë që sigurimi i ushqimit në këtë rajon është i mbrojtur”, tha Petkov.