“Pesëshet e dhuruara”, Stanoeva: Ka trysni për notat, i degradojmë ata që i meritojnë pesëshet

Dëftesat me nota nxënësit do t’i marrin në gjysmën e dytë të gushtit, por në mbledhjen e prindërve, ata u njoftuan me suksesin e fëmijëve të tyre, pas çka vijoi një sërë reagimesh në rrjetet sociale. Pyetja që shumë prindër ia bëjnë vetes është: Si mundet makineritë të mos punojnë, kurse të ketë prodhimtari? Me këtë deshën të kuptojnë se si është e mundur që edhe përkundër orëve të humbura, zgjatjes së pushimit dimëror dhe grevës, nxënësit ta dinë kaq mirë tërë materialin mësimor? Pyetjen e njëjtë ia parashtruam edhe pedagoges Fonika Stanoeva nga shkolla fillore “Bllazhe Koneski” në Aerodrom. Ajo thotë se problemi kryesor është politika e regjistrimit. Prindërit angazhohen që fëmijët e tyre të kenë mesatare të shkëlqyer për t’i regjistruar në shkollën e mesme të cilën e duan ata. Për këtë arsye ka edhe presion ndaj mësimdhënësve për t’i korrigjuar notat.

 

“Gjendja reale në të gjitha shkollat, e kam fjalën në territorin e Maqedonisë, është se ka sukses të përgjithshëm të shkëlqyer në të gjitha shkollat fillore, por unë konsideroj se kjo nuk është pasqyra reale. Në fakt, kjo u tregua edhe gjatë regjistrimeve në shkollat e mesme. Se ka trysni për korrigjim të notave, ka, ky është realiteti. Kur do të funksionojmë si një sistem i shëndetshëm, me themele të shëndetshme, mendoj se nuk do ndodhin gjëra të këtilla”, deklaroi Fonika Stanoeva, pedagoge në Sh.F. “Bllazhe Koneski”

Suksesi i këtillë i përgjithshëm është demotivues për nxënësit që mundohen dhe të cilët vazhdimisht kanë mesatare të shkëlqyer dhe e përfaqësojnë shkollën e tyre në gara të ndryshme. Shoqëria jonë i degradon nxënësit e këtillë. Duhet të ketë bashkëpunim më të madh në trekëndëshin – fëmijë-prind-mësues. Prindërit, jo gjithmonë duhet të sillen si mbrojtës ndaj fëmijëve të tyre, por duhet të jenë realë, sugjeron pedagogia Stanoeva.

“Ne sigurisht se do të lëshojmë pak atje ku shohim se nxënësi po mundohet. E dini kur është keq, kur nxënësit të cilët vazhdimisht kanë nota dhe mesatare të dobët, prindërit këtë nuk duan ta pranojnë dhe mendojnë se nxënësit këtë e bëjnë nga ndonjë arsye, gjegjësisht nga revolta për diçka që po i ndodh në shkollë. Asnjëherë ne si prindër, edhe unë jam prind, nuk nisim nga teza – pse fëmija im e bën këtë?”, pohoi Fonika Stanoeva, pedagoge në Sh.F. “Bllazhe Koneski”.


Nxënësit me “pesëshet e dhuruara” ndonjëherë gjatë regjistrimit në shkollë të mesme ua zënë vendin nxënësve që i kanë merituar notat më të larta. Ajo që ndodhi në “Orce Nikollov” ishte si një shuplakë e cila duhej të ndodhte për t’i vetëdijesuar edhe mësimdhënësit, edhe prindërit dhe teste të tilla të ketë në të gjitha shkollat, shton Stanoeva, duke iu referuar provimit kualifikues që ishte organizuar për shkak të numrit të madh të nxënësve të paraqitur me të gjitha 5, ku nga 292 nxënës, vetëm 11 prej tyre morën 5, kurse 39 kanë marrë notën 1.
Nga MASh-i, bëjnë me dije se suksesi i përgjithshëm në vitin shkollor 2021-2022 në shkollat fillore ishte 4,2, kurse në ato të mesme – 3,85./TV21