Pesë shtetet me të cilët ka kryer më së shumti shkëmbim tregtar Maqedonia e Veriut

Maqedonia e Veriut në janar të vitit 2026 ka shënuar ulje të eksportit për 8.27 % dhe ulje të importit për 6.37, krahasuar me janarin e vitit paraprak, transmeton Portalb.mk.

“Vlera e përgjithshme e eksportit të mallrave nga Republika e Maqedonisë së Veriut për periudhën janar të vitit 2026 është 530 668 000 euro, ndërsa vlera e importit është 794 893 000 euro”, raporton Enti Shtetëror i Statistikave.

“Në periudhën janar  të vitit 2026, sipas vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme, pjesa më e madhe e tregtisë është bërë me Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Kinën, Greqinë dhe Serbinë, që marrin pjesë me 52.0% të vëllimit të përgjithshëm të këmbimit”, raportoi Enti, duke shtuar se “vendet anëtare të Bashkimit Evropian përfaqësohen me 57.1% në totalin e këmbimit”.

Më së shumti ka pasur eksport të katalizatorëve, ndërsa import më së shumti ka pasur te vajrat e naftës, metalet dhe legurat e tyre.

Ndryshe, në muajin janar ka pasur bllokim të kalimit kufitar për transportuesit e mallrave nëpër pikat kufitare të Maqedonisë së Veriut. Bllokime të tilla ka pasur edhe në disa vende të rajonit.

Këto bllokime kanë ardhur në shenjë proteste lidhur me qëndrimin e transportuesve në zonën Shengen.