Pesë orët e 11 shkurtit bëjnë Kosovën me Kuvend e Qeveri të re

Kuvendi i Kosovës ka përfunduar dje një proces të gjatë që zgjati rreth pesë orë, duke votuar si kryetare të Kuvendit Albulena Haxhiun me 66 vota për.

Ky vendim i jep fund pothuajse njëvjeçare bllokadës politike, pasi në vitin 2025 Haxhiu nuk ishte zgjedhur kryeparlamentare pas disa përpjekjeve.

Në një seancë të jashtëzakonshme në orët e mbrëmjes, Kuvendi miratoi edhe Qeverinë e re, të udhëhequr nga Albin Kurti, duke shënuar nisjen e mandatit “Kurti 3”.

Qeveria mori mbështetjen e shumicës së deputetëve, 66 vota për, 49 kundër dhe pa asnjë abstenim, raporton Klankosova.tv.

Para votimit, kryeministri Kurti prezantoi ekspozenë, duke përmendur arritjet e mandatit të kaluar në ekonomi, masa sociale dhe mbështetje për sektorë të ndryshëm.

Ai po ashtu foli për proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke deklaruar se kërkesat e Prokurorisë Speciale bien ndesh me të vërtetën e luftës çlirimtare.

Qeveria e re do të ketë 20 ministri, nga 16 sa ishin më parë.

Janë shtuar Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Ministria e Administratës Publike dhe e Digjitalizimit.

Gjithashtu, Ministria e Sportit dhe Rinisë është ndarë nga ajo e Kulturës, ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe ajo e Tregtisë dhe Transportit janë ndarë gjithashtu.

Kabineti i propozuar nga Kurti përbëhet nga 20 ministra dhe zëvendësministra, duke përfshirë Glauk Konjufcën si Zëvendëskryeministër dhe Ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvallën si Ministre e Drejtësisë, Hekuran Muratin në Financë, Arben Vitia në Shëndetësi, Hajrulla Çeku në Arsimin dhe Shkencë, ndër të tjerë.

Pas votimit dhe betimit të kryeministrit, urime dhe mbështetje për qeverinë e re kanë shprehur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, diplomatët ndërkombëtarë dhe partnerët nga Shqipëria dhe Evropa, duke shënuar kështu një fillim të ri të mandatit qeverisës në vend./Klankosova.tv