Përvjetoret vijnë e shkojnë, kurse kumanovarët mbesim po të njëjtit!

Shkruan: Fejzi HAJDARI

Mungesa e shënimit të organizuar të përvjetorit të 35-të të demonstratave të lavdishme shqiptare në Kumanovë për mbrojtjen e arsimit e shkollës shqipe, si dhe përvjetori i rënies heroike të Ismet Jasharit – Komandant Kumanova, po dëshmojnë se ne dimë të bëjmë vepra madhore komëbater (të cilat ia kemi obligim popullit tonë), por shumë vështirë dimë ose me mirë duam t’i çmojmë, vlerësojmë e kultivojmë, dhe sidomos t’i percjellim brez pas brezi mesazhet e këtyre Aseteve Kombetare.

Këto zhvillime supreme në trevat e rajonin e kësaj ane, shënua fillimin e proceseve kombëtare që më vonë rezultuan me ngritjen e vetdijes kolektive kombëtare për t’i trasuar edhe më tej, meritojnë një respekt, një qasje, solidarizim, trajtim dhe shënim shumë më të organizuar, dinjitoz, cilësor, përmbajtësor e kombëtar. Nuk na falet kjo neglizhencë, dembelizëm, harresë (e qëllimshme ose e paqëllishme), mungesë angazhimi…

Si ka mundësi që sot kur drejtojmë komuna (Likova), kemi parti politike sa në Kinë, shoqata virtuale, reale, subjekte tjera politike e apolitike etj., dhe nuk kemi një organizim modest për rënien e Ismet Jasharit dhe Përvjetorin e Demonstratave për arsimin shqip të vitit 1988?

Mos po prisni që edhe këto evente të na i organizojnë liderët partiakë nga Kërçova, Tetova, Shkupi, Gostivari… Po të kishte ardhur Noizy në Kumanovë ose ndonje tjetër promovues i muzikës pavlera (shund, kiç), do të ishit ngritur të gjithë në këmbë!?

Jo, jo… organizimin e shënimit të këtyrë datave, ne ua kemi për borxh kumanovarëve, dhe jo vetëm! Këtë ia kemi borxh vetes në radhë të parë, gjeneratave (brezave) të reja, popullit tonë të përvuajtur, gjyshërve tanë, baballarëve…

Turpi brina s’ka!

Turp për të gjithë ne!

Arsyetim s’ka!