Përveç Merkos edhe familja e tij në “listën e zezë” të Amerikës

Përveç Ramiz Merkos, kryetar i Strugës, në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë futur edhe familja e tij e ngushtë, bashkëshortja dhe tre fëmijët, informon KlanM.

“Departamenti po cakton gjithashtu gruan e Merkos, Shpresa, dhe tre fëmijët e rritur, Gencin, Nazmijen dhe Drenushen si të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në kumtesën e zëdhënësit të DASH-it, Matthew Miller.

Departament amerikan i Shtetit shpalli sot non grata Ramiz Merkon, kryetar i Komunës së Strugës në Maqedoninë e Veriut.

Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

Veprimi i sotëm thuhet më tej në njoftim dërgon mesazhin se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah Maqedonisë së Veriut për të nxitur stabilitetin përmes forcimit të institucioneve demokratike dhe trajtimit të mangësive që lidhen me sundimin e ligjit. Ky përcaktim ripohon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të vendeve dhe pakëson aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të njerëzve të tyre përfundon njoftimi i Departamentit amerikan të Shtetit./KlanMacedonia