Brenda një dekade, Peru pret të bëhet me liderin e nëntë me radhë ndërsa të dielën janë hapur qendrat e votimit për raundin e balotazhit presidencial mes kandidatëve Keiko Fujimori dhe Roberto Sanchez.Në raundin e parë të zgjedhjeve të mbajtur në prill, partia e djathtë e Fujimorit, “Forca Popullore”, siguroi 17% të votave, ndërsa partia e majtë e Sanchezit, “Bashkë për Peru-në”, mori 12% në mesin e më shumë se dy duzina kandidatëve.
Fujimori, 51 vjeç, është vajza e ish-presidentit Alberto Fujimori, i cili udhëhoqi vendin nga viti 1990 deri në 2000. Ajo ka bërë fushatë me fokus në rendin dhe ligjin, duke premtuar goditje ndaj krimit në rritje dhe zhvatjeve të dhunshme, si dhe tërheqje të investimeve të huaja dhe ulje të burokracisë.Kundërshtari i saj, Roberto Sanchez, 57 vjeç, ka shërbyer si ministër nën ish-presidentin Pedro Castillo, i cili ndodhet në burg. Ai ka premtuar rritje të kontrollit shtetëror mbi burimet natyrore të Perusë, taksë për pasurinë e më të pasurve dhe rishkrim të kushtetutës.
Fituesi i zgjedhjeve të së dielës do të inaugurohet më 28 korrik për një mandat pesëvjeçar, shkruan agjencia e lajmeve Anadolu.Në anën tjetër qytetarë në Armeni votojnë për zgjedhjet parlamentare, sipas agjencisë shtetërore Armenpress.
Në zgjedhje janë regjistruar 16 parti politike dhe dy aleanca, përfshirë edhe partinë prirëse “Kontrata Qytetare”.Ndër forcat kryesore opozitare janë “Aleanca e Armenisë”, e udhëhequr nga ish-presidenti Robert Kocharyan, si dhe “Armenia e Fortë”, një parti e re e drejtuar nga miliarderi Samvel Karapetyan, i cili ndodhet në arrest shtëpiak nën akuzat për nxitje të një grushti shteti.
Zgjedhjet po zhvillohen sipas një sistemi proporcional me lista të mbyllura, ku partitë duhet të sigurojnë të paktën 4% të votave për të hyrë në parlament, ndërsa aleancat duhet të kalojnë pragun prej 10%.Ligji armen parashikon edhe një mekanizëm për sigurimin e shumicës së qëndrueshme qeverisëse, duke i mundësuar partisë fituese të marrë mandate shtesë për të arritur deri në 52% të vendeve në parlament.
Këto janë zgjedhjet e para parlamentare të rregullta në Armeni që nga viti 2017, pas zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura në 2018 dhe 2021.Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Vahagn Hovakimyan, tha se tre zyrtarë zgjedhorë janë arrestuar si pjesë e një hetimi penal dhe nuk janë paraqitur në detyrë ditën e zgjedhjeve, por procesi po vazhdon normalisht në të gjithë vendin.
Ndërkohë, autoritetet armene kanë njoftuar edhe arrestime lidhur me një skemë të dyshuar për blerje votash nga blloku “Armenia e Fortë” në rajonin Lori.



