Përveç bukës, paralajmërohet ngrirje e çmimeve të produkteve tjera

Me një foto para produkteve nga brumi, me mbishkrimin “next” që në përkthim mund të interpretohet si veprim i ardhshëm, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi bashkë me kryeministrin Kovaçevski paralajmëruan edhe ngrirjen e çmimeve të produkteve nga brumi si dhe të produkteve nga qumështi.

Ministri Bekteshi në Sitel, tha se do të vijojë analiza e të gjitha produkteve bazë ushqimore për të parë nëse mund të ngrihen edhe çmimet tjera.

 “Të gjitha produktet janë të listuara në vendimin e Qeverisë për ngrirjen e marzhës për tregti ose marzhës përfituese siç njihet në masën e gjerë. Të gjitha do të analizohen, siç thashë pak më parë momentalisht po analizohen produktet e qumështit dhe pastave dhe me siguri javën e ardhshme ose nga fundi javës do të shohim çka do të tregojnë analizat. Pas kësaj do të sillen masat adekuate dhe do të vazhdojmë me të gjitha produktet tjera që janë në vendim”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski ngrirjen e çmimeve nuk  sheh si lëvizje të mençur ekonomike. Komentoi se në vend që Bekteshi e Kovaçevski të fotografen me bukë nëpër markete të ulën e të gjejnë zgjidhje të mençur.

 “Është zgjidhje “ad-hok”, praktikisht sot për nesër, nuk është zgjidhje për afat të gjatë që mund të sigurojë çmim të pranueshëm për qytetarët. Përndryshe të gjithë ne duhet të bashkohemi dhe të ndihmojmë që qytetarët produktet ushqimore t’i blejnë me çmim më të lirë. Si do të bëhet kjo? Duhet që Qeveria t’i mbështesë të gjithë ata që prodhojnë produkte bazë që qytetarët të paguajnë çmim më të lirë”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Nga LSDM thonë se kundërshtarët e vetëm të ngrirjes së  çmimit janë përfituesit nga VMRO-DPMNE dhe nga “E Majta”. Deputetja Sanella Shkrijel deklaroi se nuk do të lejojnë përfitime të bizneseve në kohë krize në kurriz të qytetarëve.

 “Duke pasur parasysh çmimin e dakorduar të energjisë elektrike, çmimin e miellit, të gazit natyror dhe derivateve, çmimi prej 33 denarëve është fer dhe në të është kyçur edhe fitimi i furrave”, pohoi Sanella Shkrijel, deputete e LSDM-së.

Që kur dje furrtarët lëshuan pe, sot marketet ishin furnizuar me bukë të bardhë dhe gjysmë të bardhë, megjithatë në disa markete, qytetarët qysh në mëngjes kishin zbrazur raftet e bukës së bardhë që tash shitet me çmimin e ngrirë prej 33 den.  Bekteshi njoftoi se rreth 3 milionë euro i ka kushtuar Qeverisë subvencionimi i rrymës elektrike për gjithë sektorin e ushqimit./TV21