Incidentet që shoqëruan derbin e javës së 19-të në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut ndërmjet FK Vardar dhe KF Bashkimi 1947 rikthyen në qendër të vëmendjes problemin e gjuhës së urrejtjes dhe tensioneve ndëretnike në stadiume. Ndeshja e zhvilluar më 21.02.2026 përfundoi me fitore minimale 1-0 për Vardarin, por u karakterizua nga anulime golash për pozitë jashtë loje, karton i kuq, përplasje mes lojtarëve dhe stafit, si dhe 18 minuta shtesë. Përveç tensioneve në fushë, në tribuna u dëgjuan thirrje fyese kundër shqiptarëve, ndërsa pati edhe konfrontime me forcat e sigurisë. Për fat të keq, kjo nuk është hera e parë që një ndeshje futbolli në vend shndërrohet në arenë të narrativave përçarëse, raporton Portalb.mk.
Sipas reagimit zyrtar të Federatës së Futbollit e Maqedonisë, kartoni i kuq ndaj futbollistit të Bashkimit, Rexhep Murati, u dha për pështyrje ndaj gjyqtarit, vendim që – sipas tyre – u konfirmua edhe nga sistemi VAR.
“Lidhur me ndeshjen e sotme të javës së 19-të në Ligën e Parë të Maqedonisë ndërmjet FK Vardarit dhe FK Bashkimit, në minutën e 87-të u akordua karton i kuq direkt për lojtarin me nr. 3 të ekipit mysafir për shkak të pështyrjes ndaj gjyqtarit. Gjyqtari kryesor ndodhej në një distancë rreth një metër nga ngjarja, e vërejti qartë pështyrjen dhe pa hezitim tregoi me të drejtë karton të kuq direkt. Ky veprim tejet josportiv u konfirmua edhe nga gjyqtarët e VAR-it, në bazë të provave të qarta video nga momenti i incidentit. Më pas, personi zyrtar i përjashtuar më herët nga stoli i FK Bashkimit hyri në mënyrë të palejuar në fushën e lojës, duke provokuar dhe nisur përballje me lojtarin aktiv të FK Vardarit, Boban Nikollov. Një sjellje e tillë është krejtësisht josportive dhe e palejueshme, veçanërisht duke pasur parasysh se personi ishte përjashtuar në pjesën e parë dhe në asnjë mënyrë nuk duhej të hynte në fushë. Shkaku i përballjes dhe i përjashtimit rrjedh ekskluzivisht nga sjellja e palejueshme e lojtarit me nr. 3, i cili pështyu drejt gjyqtarit, si dhe nga hyrja e palejuar në fushë e personit zyrtar të përjashtuar, i cili nisi përballjen me lojtarin e FK Vardarit, Boban Nikollov, i cili më pas me të drejtë u ndëshkua disiplinarisht me karton të verdhë”, thanë nga FFM.
Nga ana tjetër, klubi nga Kumanova e mohoi kategorikisht këtë pretendim, duke e cilësuar si interpretim të gabuar dhe tendencioz të pamjeve. Sipas tyre pika e bardhë që është paraqitur si pështymë në video, është pjesë e palltos të një tifozi në tribunë.
“FFM-ja me shpejtësi të dritës paska reaguar në mbrojtje të referit Benjamin Kerimi, referit kryesor të ndeshjes KF VARDAR – KF BASHKIMI 1947! Falemnderojmë nga zemra FFM-në për publikimin e videos ku qëllimi kryesor është arsyetimin e vendimit te referit për ndëshkimin e Rexhep Murati me karton të kuq, ku në mënyrë flagrante shihet gënjeshtra dhe tendeca e qëllimshme e referit Benjamin Benoo për ta përjashtuar lojtarin e U21 të Maqedonisë! SHIKONI VIDEON E FFM-së. Sekondi i 4 dhe 5 rrethohet “pështyma fantazmë” e lojtarit tonë dhe ÇUDITSHMËRISHT pështyma mbetet ende në ajr edhe pas shumë sekondave (sekonda 7,8,9 e videos)”, thoanë nga FC Bashkimi.
Përplasjet verbale dhe fizike pasuan menjëherë, ndërsa ndeshja u ndërpre për disa minuta.
Ngjarja ka nxitur reagime politike dhe institucionale. Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, dënoi ashpër gjuhën e urrejtjes dhe kërkoi sanksione konkrete ndaj përgjegjësve.
“Koret fyese dhe gjuha e urrejtjes janë absolutisht të papranueshme. Dënoj ashpër shfaqjet e tilla dhe refuzoj çdo përpjekje për t’i minimizuar apo justifikuar ato”, ka deklaruar zëvendëskryeministri, ndërsa ka kërkuar reagim institucional nga Federata e Futbollit dhe organet kompetente, duke theksuar nevojën për veprim profesional dhe të vendosur, përfshirë edhe sanksione konkrete ndaj individëve përgjegjës dhe klubit përkatës. Presim nga Federata e Futbollit dhe organet kompetente të reagojnë me profesionalizëm dhe vendosmëri, deri te sanksionet e nevojshme, në mënyrë që situata të tilla të mos përsëriten më kurrë”, thuhet në reagim”, reagoinFetai.
Reagime erdhën edhe nga Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr nga Arben Taravari, si dhe nga përfaqësues të tjerë politikë në vend dhe rajon, përfshirë deputetin shqiptar Taulant Balla dhe sekretarin e përgjithshëm të Bashkimi Demokratik për Integrim, Arbër Ademi.
“Stadiumi nuk është vend për përleshje, provokime dhe thirrje që poshtërojnë qytetarë mbi baza etnike. Kjo nuk është tifozeri, por rrënim i rendit publik dhe nxitje e urrejtjes,” thuhet në reagimin e ASH-së.
Ish-ministri i brendshëm i Shqipërisë, tani deputet i PS-së Taulant Balla ka shprehur shqetësimin e tij për këto thirrje antishqiptare të Komitëve.
“Si dashamirës i futbollit, por dhe si një deputet i Kuvendit të Shqipërisë, shpreh shqetësimin e thellë për incidentet dhe dënoj ashpërsisht fyerjet me bazë nacionaliste e rraciste kundër futbollistëve dhe stafit të K.F. Bashkimi 1947 në një ndeshje të zhvilluar dje të kampionatit të Maqedonisë së Veriut. Thirrjet kundër shqiptarëve ishin shumë të rënda dhe po aq të rënda duhet të jenë masat e ndërshkimet e ndërmarra nga Federata e Futbollit në vendin fqinj. Nëse futbolli europian dhe ai botëror gjatë kësaj jave u solidarizua me futbollistin e Real Madrid Vinicius, e njëjta gjë duhet të ndodhë me djemtë e ekipit dhe stafit të K.F. Bashkimi 1947 në Maqedoninë e Veriut. Do të jetë gabim i pafalshëm nëse në Maqedoninë e Veriut mbyllen sytë ndaj kësaj ngjarje!”, ka thënë Balla.
Sekretari i përgjithshëm i BDI-së Arbër Ademi tha se dy incidentet e rënda në futbollin tonë nuk janë rastësi, por janë pasojë direkte e mosndëshkimit dhe e inkurajimit të heshtur që u bëhet atyre që shkelin rregullat dhe nxisin urrejtje.
“Kur në një ndeshje mes Vardarit dhe Bashkimit tolerohet gjuhë e hapur e urrejtjes dhe madje përdoren njësi speciale kundër përfaqësuesve të klubit të Bashkimit, ndërsa loja vazhdon sikur asgjë të mos ketë ndodhur, atëherë mesazhi është i qartë: standardet nuk vlejnë njësoj për të gjithë. Kjo nuk është më çështje rivaliteti sportiv, por çështje dinjiteti dhe barazie. Nëse institucionet e futbollit nuk distancohen nga diktati politik dhe nuk vendosin standarde të barabarta për të gjithë, atëherë besimi në garën e ndershme do të zëvendësohet me bindjen se rezultati përcaktohet jashtë fushës”, ka shkruar sekretari i përgjithshëm i BDI-së Arbër Ademi.
Përtej reagimeve të momentit, rasti i fundit hap sërish debatin mbi rolin e sportit në shoqëri dhe mënyrën se si ai mund të përdoret për të forcuar ose për të dëmtuar kohezionin shoqëror. Analizat e mëhershme mbi sportin dhe narrativat e dëmshme theksojnë se thirrjet nacionaliste në stadiume nuk janë thjesht “emocion tifozërie”, por mekanizma që prodhojnë tensione reale shoqërore. Kur urrejtja normalizohet në hapësira publike si stadiumet, ajo rrezikon të legjitimohet edhe jashtë tyre.
Rasti i derbit Vardar–Bashkimi tregon se problemi nuk është vetëm individual, por strukturor: mungesa e ndëshkimeve të qarta, reagimet e vonuara institucionale dhe standardet e dyfishta ushqejnë perceptimin e padrejtësisë. Nëse nuk vendosen masa të qarta disiplinore dhe mekanizma parandalues kundër gjuhës së urrejtjes, rrezikohet që incidentet të përsëriten dhe të thellojnë ndasitë.
Rastet të ngjashme janë regjistruar edhe më parë në Maqedoninë e Veriut, ku thirrje nacionaliste dhe ofenduese kundër shqiptarëve apo grupeve të tjera kanë kaluar pa ndëshkim të qartë institucional. Për shembull, gjatë një ndeshjeje basketbolli ndërmjet përfaqësueses së Maqedonisë dhe Rumanisë në Kumanovë u dëgjuan brohoritje me mesazhe raciste dhe fyese ndaj shqiptarëve, edhe në prani të zyrtarëve të lartë shtetërorë, pa reagim të menjëhershëm të autoriteteve përkatëse për të ndaluar gjuhën e urrejtjes në vendin e ngjarjes.
Kujtojmë se, mosreagimi adekuat i MPB, prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes. Këtë e vërtetuan edhe eskspertët e komunikimit politik si dhe organizatat që merren me gjuhën e urrejtjes në analizën e Portalb.mk rreth temës në fjalë.
Në një shoqëri të brishtë multietnike si Maqedonia e Veriut, mosndëshkimi i gjuhës së urrejtjes nuk është thjesht neglizhencë administrative, është një mesazh i rrezikshëm. Kur institucioneve u mungon reagimi i shpejtë dhe i vendosur, ato në mënyrë implicite i japin hapësirë ekstremizmit të normalizohet. Kështu, një brohoritje raciste nuk mbetet më vetëm incident, por shndërrohet në precedent që nxit ndarje.





