Përse Berishës i është bërë makth dorëheqja e Rusmalit 18 vjet më parë?

Nga Mero Baze

Ka një habi nga vetë demokratët për këmbënguljen e Sali Berishës për të sulmuar vazhdimisht Ilir Rusmalin, edhe kur ai nuk është pjesë e debatit politik.

Sot përsëriti sulmet duke deklaruar se ai i uli votat PD-së në Tiranë dhe se ai e kishte shkarkuar për korrupsion më 2007.

Një ditë pas dorëheqjes së Ilir Rusmalit më 16 nëntor 2007, në konferencën për shtyp, Sali Berisha ka deklaruar para gazetarëve:

“Unë e pranova dorëheqjen e zotit Rusmali, sepse nuk mund të refuzoj standardin e ri që bashkëpunëtori im vuri për politikën dhe zyrtarin shqiptar. Standardin më të lartë dhe të civilizuar të përgjegjësisë së një zyrtari që kontraston, aq sa kontraston dita me natën, errësira me dritën, me qëndrimet e mëparshme të zyrtarëve”.

(16 nëntor 2007. Konferenca për shtyp para gazetarëve)

Të ballafaqosh Sali Berishën me Sali Berishën në kohë të ndryshme është puna më e lehtë në shtypin shqiptar, pasi identiteti i vetëm i tij në politikë është që nuk ka kurrë dy qëndrime njësoj për të njëjtën gjë. Çdo qëndrim i tij varet nga halli që ka për momentin.

Në momentin kur Ilir Rusmali dha dorëheqje, ai ishte në hall dhe ishte njeriu më i interesuar që ta përcillte atë me fjalët më të mira, me shpresë që ai nuk do të shpjegohej publikisht për arsyet pse po ikte nga pushteti.

Përplasja e tij personale me djalin e Sali Berishës, i cili i bënte presion për të miratuar VKM-në që projekti i Gërdecit të miratohej direkt nga qeveria dhe të autorizohej shoqëria e tij dhe e Rrahmanit për demontimin e fishekëve, ishte një betejë disa mujore.

Ai e refuzoi atë jashtë zyrës dhe në mbledhjen e qeverisë, duke detyruar Sali Berishën, siç e dëshmon dhe vetë protokolli i mbledhjes së qeverisë, që ta çonte projektin tek Ministria e Mbrojtjes.